Pas më shumë se dy vitesh nga ndarja, Chiara Ferragni ka vendosur të tregojë publikisht anën e panjohur të martesës së saj me reperin italian Fedez. Në dokumentarin e publikuar në Netflix, sipërmarrësja rikthehet te marrëdhënia që për vite me radhë u prezantua si një histori dashurie perfekte, por që, sipas rrëfimit të saj, fshihte konflikte, pasiguri dhe momente të dhimbshme.
Ferragni e përshkruan martesën si një marrëdhënie toksike, duke pranuar se për një kohë të gjatë nuk kishte gjetur forcën për t’u larguar.
“Me Fedez kisha një marrëdhënie shumë toksike. Ndihesha në siklet dhe kisha turp”, rrëfen ajo.
Një prej detajeve që ka tërhequr vëmendjen lidhet me suksesin financiar të saj. Chiara tregon se shpesh i fshihte bashkëshortit të ardhurat e vërteta, pasi e perceptonte atë si konkurrues edhe në këtë aspekt.
“Zakonisht gënjeja dhe i zvogëloja të ardhurat e mia. E ndieja shumë konkurrues. Nëse për mua fitimi i parave ishte një mënyrë për të ushqyer egon, me të duhej të ishte e kundërta: duhej të dukesha më e vogël edhe në këtë aspekt”, tregon Ferragni.
Ajo rikthehet edhe te periudha e njohur si “Pandoro Gate”, kur përballja me skandalin dhe vëmendjen e madhe publike, sipas saj, nuk u shoqërua me mbështetjen e bashkëshortit. Përkundrazi, ajo pretendon se Fedez i kishte drejtuar një koment të rëndë për rolin e saj si nënë.
“Hesht ti, që nuk di as të jesh nënë”, ishte fjalia që, sipas Ferragni-t, i kishte thënë reperi.
Një tjetër episod lidhet me zbulimin e disa pamjeve të bisedave në telefonin e Fedez-it. Chiara tregon se kishte gjetur fotografi të mesazheve ku një grua shprehej se nuk kishte pasur guximin të bënte diçka, çka e bëri të dyshonte për një tradhti.
“Unë e nxora vetë Fedez nga shtëpia, sepse gjeta disa pamje të mesazheve ku një grua thoshte se nuk kishte pasur guximin ta bënte diçka”, rrëfen ajo.
Në dokumentar përmendet edhe Angelica Montini, emri i së cilës ishte përfshirë në raportimet mediatike për një lidhje të mundshme paralele të reperit. Ferragni tregon se e kishte njohur atë në Miami, një muaj përpara se Fedez t’i propozonte për martesë, por në atë kohë nuk kishte dyshuar për asgjë.
“Unë isha e sigurt që ai nuk më tradhtonte. Ishim kaq të famshëm, si mund të mos zbulohej? Me sa duket, ai kishte qenë shumë i kujdesshëm”, shprehet ajo.
Ferragni ndalet edhe te puthja mes Fedez dhe Rosa Chemical gjatë performancës në Sanremo 2023, një moment që, sipas saj, shënoi një pikë kthese në martesën e tyre.
“Gjithë Italia pa se sa pak respektohesha nga bashkëshorti im. Deri atëherë, këtë e dinin vetëm njerëzit pranë meje. Aty mendova se historia kishte përfunduar”, kujton sipërmarrësja.
Pavarësisht gjithçkaje që tregon se ka përjetuar, Chiara pranon se ende e ka të vështirë të flasë negativisht për ish-bashkëshortin.
“E kam të vështirë të them gjëra negative për Federicon, pavarësisht të gjithë dëmit që më ka shkaktuar”, përfundon ajo.
/tvklan.al












Botërori 2026 
