Traktorët dhe autokombajnat i nxorën në rrugë.

E kanë ndërprerë procesin e korrjes së grurit. Fermerët e Rrogozhinës dhe të Kavajës kanë dalë në protestë për shkak se nuk ka treg për drithërat. Ata thonë se po falimentojnë teksa kërkohet importi i grurit nga shtete të tjera.

“Këtë vit katastrofë. Unë kam 100 hektarë grurë, jam djegur. Kam çuar një kamion në Elbasan dhe më tha ‘zotëri po e pate kështu grurin mos ma sill më’. Shkarkonte serbi dhe ne rrinim hapim sytë,” tha një fermer.

“Me qindra hektarë grurë për të korrur, nuk e korrnin sepse nuk kemi ku ta çojmë. Duhet një mik për të shkuar dhe për të shitur grurin me 20 lekë që që është zero, me një fjalë janë nën kosto,” shtoi një tjetër.

“Kemi informacion që para dy javësh që kanë marrë nga serbi grurë dhe informacioni ka ardhur që e kanë marrë 150 lekë plus TVSH-në e dinë zotërinjtë se sa u ka shkuar kostoja,” tha një tjetër fermeri.

Kostot e prodhimit sipas kultivuesve janë të larta ndërsa çmimi është tepër i ulët. Ndërsa çmimi i grurit varion nga 2000 ose 2200 lekë një kuintal me grurë.

“Çmimi është 220 lekë sot ose 22 lekë të reja, ndërkohë që kostoja e prodhimit ose dynymit shkon në 187 mijë lekë shpenzimi,” tha fermeri.

“Ne na kanë thënë që kush do të marrë plehun dhe farën e grurit do i marrim grurin, kurse tani ne e kemi çuar dhe na thonë që është me lagështirë. Ne dalim me kosto me – 70 mijë lekë për dynymë. Unë kam 50 hektarë që do të thotë se kam 35 milionë lekë minus,” përfundoi një fermer tjetër.  

Nëse autoritetet nuk marrin masa kultivuesit e drithërave thonë se do e përshkallëzojnë protestën dhe do të bllokojnë autostradën.

Klan News