Armëpushimi dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ishte e vetmja rrugëdalje për Donald Trampin, nga telashi i madh i një lufte asgjësuese në të cilën ishte futur dhe që do të minonte rëndë besueshmërinë e tij.
Ky është thelbi i një analize të medias prestigjoze britanike BBC, pasi palët vendosnin të ulnin armët pas rreth 40 ditësh konflikti. Megjithatë, kostoja është e lartë për Shtetet e Bashkuara, pasi bota tani e sheh këtë vend jo më si forcë stabiliteti, por si një fuqi që po lëkund themelet e rendit ndërkombëtar.
Sipas The Guardian, Irani ulet tani në bisedime me një dorë më të fortë, pasi regjimi mbeti i paprekur dhe dëshmoi se mund ta mbajë botën peng përmes Ngushticës së Hormuzit. Analiza vëren se Trump pranoi si bazë negociatash planin e Iranit, të cilin vetëm një ditë më parë e kishte refuzuar me përbuzje.
Financial Times thekson se në këtë luftë “nuk ka fitues” dhe se pasiguria mbetet maksimale. Megjithëse Trump pretendon fitore për shkak të rënies së çmimit të naftës, aleatët e Gjirit Persik ndihen të tradhtuar dhe të pasigurt për mbrojtjen amerikane përballë një Irani që mbetet i armatosur.
Ndërsa Bloomberg shkruan se pozicioni i SHBA-së është dobësuar përballë Rusisë dhe Kinës, të cilat panë se fuqia ushtarake amerikane nuk arriti dot kapitullimin e Teheranit. Analistët e shohin këtë si një fitore të menjëhershme për tregjet, por një humbje strategjike afatgjatë për Uashingtonin.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 