Takimi i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi është përcjellë me vëmendje nga mediat kryesore greke.

Duke cituar deklaratën e Ramës “nuk kam ardhur të provokoj” dhe me videon e stadiumit të mbushur me flamuj kuq e Zi, “Protothema” shkruan në faqen e saj të parë se stadiumi i ‘Galatsit’ u mbush me njerëz dhe flamuj.

Ndërsa Edi Rama, citon media greke “Protothema” ka hyrë në sallë nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar dhe është duartrokitur nga turma duke brohoritur “Edi, Edi”.

Vëmendje i ka kushtuar këtij takimi edhe “Kathimerini” në faqen e saj të parë i kushton rëndësi masave të marra për mbarëvajtjen e vizitës së kryeministrit shqiptar në Athinë, ndërsa citon edhe intervistën që kreu i qeverisë Rama i dha kësaj medie një ditë para takimit.

Duke e konsideruar mik të mirë, homologun e tij grek Kirjakos Mitsotakis, Rama thotë se ai më shumë se çdo paraardhës është i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Për rastin Beleri Rama tha në këtë intervistë se Shqipëria është në një betejë historike për t’i dhënë drejtësisë pavarësinë nga pushteti politik.

“Historia e gjatë e imunitetit për politikanët po përfundon dhe nuk shoh asnjë ndryshim midis rastit që ju referoni në Greqi dhe atyre të kryebashkiakëve dhe ministrave nga partia ime që janë dënuar, ndonjëherë për diçka më pak të rëndë se blerja e votës. Nuk ka asnjë arsye për t’iu referuar këtij rasti kur flas me komunitetin e madh shqiptar në Greqi”.

Vizita e Ramës ka ngjallur shumë polemika në shtetin fqinj, pasi përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Belerit, por zhvillohet pak para zgjedhjeve për parlamentin europian. Por edhe në përgjigjen ndaj Kathimerini, Rama tha se kjo vizitë nuk është ndërhyrje në zgjedhje, ndryshe nga disa politikanë greke që ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Klan News