“Partia Socialiste prin në zgjedhjet parlamentare” është titulli i artikullit me të cilin agjencia e lajmeve Reuters pasqyron rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Shqipëri. Në artikull shkruhet se Rama është drejt fitores së mandatit të 4-t, i paprecedencë që pas rënies së komunizmit.
“Gjatë 12 viteve në pushtet, Rama ka rritur ndikimin e tij, falë një periudhë rritjeje të shëndetshme ekonomike dhe imazhit mjaft popullor jashtë vendit”, vijon më tej Reuters.
Agjencia tjetër ndërkombëtare e lajmeve Associated Press shkruan se vota popullore tregoi mbështetje për përpjekjet e Partisë Socialiste që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Varianti italian i medias tjetër ndërkombëtare Sky shkruan se ky është rezultati më i mirë ndonjëherë i arritur nga qendra e majtë, pas 3 mandatesh qeverisëse radhazi.
Në një reportazh më vete, Reuters sjell mendimin e qytetarëve të Tiranës, pas qartësimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
“Të afrohemi sa më shumë me Europën. Të kapim standardet që do Europa.”
“Zgjedhjet shkuan normal. Fitoi ajo që pritej, dihej, pritej nga ne. Qeveria ka punuar mirë, ka pas të meta por kemi ecur shumë përpara.”
“Shpresoj që të dy palët të pranojnë rezultatin sido që të jetë.”
/tvklan.al