Bashkëshortja e princit britanik Harry, Meghan Markle, tregon se kishte ardhur në një pikë ku mendonte për vetëvrasje dhe shkaku ishte jeta mbretërore.

Ajo ka treguar se stafi i Pallatit kishte injoruar thirrjet e saj për ndihmën dhe ia kishin marrë çelësat, pasaportën e patentën kur ajo u martua me Harryn.

“Ishte shumë e frikshme. Nuk doja më të jetoja. Nuk e dija me kë të flisja. Një nga personat me të cilët kontaktova ishte një nga shokët më të mirë të Dianas. Kush tjetër mund të kuptonte se çfarë po kaloja unë”, ka thënë Meghan në intervistë për Oprah Winfrey. 

Megan ka shkuar edhe më tej me rrëfimet e saj, ku ka treguar se si familja mbretërore ishte e shqetësuar se sa e zezë do të jetë ngjyra e lëkurës së fëmijës.

“Gjatë muajve kur isha shtatzënë kishte shqetësime dhe bëheshin biseda se sa e errët mund të ishte ngjyra e lekurës së fëmijës”, është shprehur Meghan.  

Por si Harry ashtu edhe Meghan kanë refuzuar ta tregojnë se kush e ka thënë këtë, duke treguar se do të ishte shumë dëmtuese. Nga ana e tij, Princi Harry ka rrëfyer se babai i tij Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik, nuk bisedon më me të. Harry ka thënë se ka shumë respekt për gjyshen e tij, Mbretëreshën Elizabeta II.

“Unë kam pasur tri biseda me gjyshen time, dhe dy me babain tim, para se ai të ndalonte së përgjigjuri në telefonatat e mia”, ka thënë Harry në intervistë për Oprah Winfrey.

I pyetur pse Charles ka ndaluar së përgjigjuri telefonatave Princi Harry është shprehur : “Unë kisha marrë çështjet në duart e mia, duhej ta bëja për familjen time. Nuk është befasi për ndokënd. Është vërtetë e trishtë që po arrin në këtë pikë, por duhet të bëj diçka për shëndetin tim mental, bashkëshorten time dhe për Archien”.

Çifti ka treguar se janë në pritje të një vajze. 

Klan News