ITALI – Karabinierët kanë kryer 17 kontrolle në banesa dhe pajisje elektronike ndaj 14 të miturve dhe tre të rriturve, të dyshuar për përfshirje në grupe online me ideologji neonaziste, supremaciste.
Operacioni u zhvillua në disa qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon, Komon, Bolonjën, Genovën, Palermon, Trenton dhe Veronën. Hetimi, i koordinuar nga prokuroritë përkatëse, kishte nisur pas monitorimit të aktiviteteve ekstremiste në internet.
Sipas hetuesve, në dy grupe private online, të identifikuara si “Chat del Nuovo Ordine Europeo” dhe “F.F.I. – Fronte Fascista Italiano”, shpërndaheshin materiale propagandistike naziste, mesazhe antisemite dhe raciste, mohime të Holokaustit, si dhe pamje të ekzekutimeve e masakrave.
Hetuesit raportojnë gjithashtu se në këto komunikime qarkullonin materiale që lidhen me sulme terroriste supremaciste dhe dokumente me udhëzime për prodhimin e mjeteve shpërthyese, si edhe materiale për përdorimin e armëve të ftohta dhe të zjarrit. Përmbajtje të tilla po shqyrtohen në kuadër të hetimit për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë.
Ndaj të dyshuarve janë ngritur, sipas rastit, akuza që lidhen me nxitjen për kryerjen e veprave penale, propagandën dhe nxitjen e diskriminimit racor, etnik dhe fetar, si dhe trajnimin për veprimtari me qëllime terroriste.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar thika dhe mjete të tjera të ftohta, objekte me simbole naziste, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që dyshohet se janë përdorur për komunikim dhe shpërndarje propagande.
Fakti që 14 nga 17 personat nën hetim janë të mitur ka tërhequr vëmendje të veçantë. Hetimi po përqendrohet tashmë në mënyrën sesi radikalizimi në grupet online mund të lidhet me përgatitjen ose nxitjen për veprime konkrete jashtë internetit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
