Pengesat ligjore nuk e pengojnë qeverinë e Kryeministres Giorgia Meloni për të përdorur kampet e ndërtuara në Gjadër dhe në Shëngjin.
Qeveria tashmë po mendon që ato të kenë një funksion të ri dhe të përdoren për të pritur azilkërkues që u është refuzar kërkesa nga autoritetet italiane.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi në një intervistë për La Stampa dhe pritet që ky plan të kalojë në mbledhjen e qeverisë të parashikuar për të premten.
Mateo Piantedosi, shprehet se në Gjadër do të dërgohen azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar e drejta për të qëndruar në Itali, pasi nuk përmbushin kriteret. Në këto kampe, ata do të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave të kthimit në vendet e tyre të origjinës.
Ndryshimi i funksionit të qendrës së emigrantëve në Gjadër është në përputhje edhe me planin e Komisionit Europian, që lejon vendet anëtare të arrijnë marrëveshje për ngritjen e qendrave të riatdhesimit të emingratëve të jashtëligjshëm me vendet që nuk janë pjesë e unionit.
Dy objektet janë në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë i cili ndoshta nuk do të jepet para Qershorit.
Do të jetë ky institucion që do të përcaktojë se cilat konsiderohen vende të sigurta origjine.
Klan News