Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas publikimit dhe shpërndarjes së disa imazheve të rreme të saj, të krijuara me inteligjencë artificiale, ku shfaqej me të brendshme. Foto që tashmë janë bërë virale në rrjet.

Në një reagim në Facebook, Meloni tha se imazhet janë krijuar me IA dhe janë paraqitur si të vërteta nga kundërshtarë politikë, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të përhapur dezinformim.

“Duhet ta pranoj se kushdo që i ka krijuar… madje më ka përmirësuar paksa pamjen,” shtoi ajo me humor. “Por fakti mbetet se, për të sulmuar dhe përhapur gënjeshtra, njerëzit tani janë të gatshëm të përdorin absolutisht gjithçka.”

Në postimin e saj, Meloni ndau një imazh të krijuar nga IA që e shfaqte atë sikur ishte e veshur me të brendshme, e ulur në një shtrat.

Kur kjo foto u bë virale fillimisht, kishte shumë nga ata që e besuan se ishte vërtet Meloni. Një përdorues shkroi: “Që një kryeministre të paraqitet në një gjendje të tillë është vërtet turp. E padenjë për rolin institucional që mban. Nuk ka asnjë ndjenjë turpi.”

Në deklaratën e saj, Meloni dënoi atë që e përshkroi si një formë bullizmi kibernetik, duke paralajmëruar se imazhet e krijuara nga IA janë një mjet gjithnjë e më i rrezikshëm që mund të mashtrojë dhe dëmtojë individët.

“Çështja shkon përtej meje,” shtoi ajo. “Deepfake-t janë një mjet i rrezikshëm, sepse mund të mashtrojnë, manipulojnë dhe të shënjestrojnë këdo. Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë nuk munden. Për këtë arsye, një rregull duhet të vlejë gjithmonë: verifiko para se të besosh dhe mendo para se të bësh ‘share’. Sepse sot më ndodh mua, nesër mund t’i ndodhë kujtdo.”

Lufta kundër rreziqeve që sjell inteligjenca artificiale dhe deepfake-t është bërë një nga shtyllat kryesore të agjendës së qeverisë së djathtë të Melonit.

Shtatorin e kaluar, Italia u bë vendi i parë në BE që miratoi një ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, duke vendosur edhe dënime me burg për ata që e përdorin teknologjinë për të shkaktuar dëm, si dhe kufizime për aksesin e fëmijëve.

Qeveria e Melonit tha se legjislacioni, i harmonizuar me Aktin e Inteligjencës Artificiale të BE-së, shënon një hap vendimtar në mënyrën se si zhvillohet dhe përdoret inteligjenca artificiale në vend.

Ligji pasoi një skandal lidhur me një faqe pornografike që publikoi imazhe të manipuluara të grave të njohura italiane, përfshirë Melonin dhe lideren e opozitës Elly Schlein, duke shkaktuar reagime të forta në Itali.

Imazhet me përshkrime vulgare e seksiste, u shpërndanë në një platformë me më shumë se 700 mijë abonentë. Shumë prej tyre shfaqnin politikane nga parti të ndryshme, të manipuluara për të theksuar pjesë të trupit ose për të sugjeruar poza të seksualizuara.

Policia italiane urdhëroi mbylljen e faqes, ndërsa prokurorët në Romë nisën një hetim për vepra të dyshuara si shpërndarje e paligjshme e imazheve me përmbajtje seksuale, shpifje dhe zhvatje.