Në Prizren, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj firmosën “Memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019”, nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet tona.

Ky Memorandum thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet tona.

Punonjësit e Policisë së Kosovës, së bashku me punonjësit e Policisë Rrugore të Policisë së Shtetit, nga 1 korriku deri në 31 gusht 2019, do të kryejnë shërbime të përbashkëta në territorin shqiptar.

Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave funksionale, nuk do të ketë kompetenca policore ekzekutive dhe nuk do të mund të ndërmerren aktivitete, për të cilat është kompetent oficeri i palës pritëse.

Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës do të kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së Kosovës.

/tvklan.al