Rihapja e Ngushticës së Hormuzit brenda 30 ditëve është pika më kritike e memorandumit të mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, një vendim pritet të ndikojë pozitivisht tek çmimet globale të naftës dhe energjisë.

Irani angazhohet të lejojë lëvizjen e lirë të anijeve tregtare për 60 ditë, por kanali do të ketë një menaxhim të ri, struktura e të cilit do të përcaktohet në negociatat me vendet e rajonit. Një tjetër pikë e rëndësishme e paktit është programi bërthamor.

Irani angazhohet zyrtarisht të mos prodhojë armë bërthamore, duke pranuar një dritare gjashtëdhjetë ditore negociatash për një marrëveshje të plotë nën kujdesin e OKB-së.

Në aspektin ekonomik, Shtetet e Bashkuara do të heqin bllokadën detare dhe sanksionet ndaj naftës, teksa aleatët do të prezantojnë një plan rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh.

Donald Tramp është shprehur më herët se SHBA nuk do të hedhë asnjë dollar në Iran.

Marrëveshja urdhëron gjithashtu ndërprerjen e përhershme të luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Garantohet edhe respektimi i ndërsjellë i sovranitetit kombëtar.

MEMORANDUMI I MIREKUPTIMIT

SHBA – IRAN

1. Armëpushimi: Ndalimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i operacioneve ushtarake në të gjitha frontet.

2. Sovraniteti: Respektimi i ndërsjellë i integritetit territorial dhe mosndërhyrja në punët e brendshme.

3. Afati: Negocimi dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh.

4. Bllokada: SHBA heq bllokadën detare brenda 30 ditëve dhe tërheq forcat nga afërsia e Iranit.

5. Lundrimi: Irani garanton kalimin e lirë të anijeve tregtare dhe dialogun për Ngushticën e Hormuzit.

6. Rindërtimi: SHBA dhe partnerët rajonalë financojnë 300 miliardë dollarë për rindërtimin e Iranit.

7. Sanksionet: Shfuqizimi i plotë i të gjitha sanksioneve të SHBA-së, OKB-së dhe IAEA-s ndaj Iranit.

8. Pakti Bërthamor: Irani ndalon armët bërthamore dhe pranon hollimin e lëndës së pasuruar në vend.

9. Status Quo: Irani ngrin programin bërthamor, SHBA nuk vendos sanksione apo trupa të reja.

10. Nafta: SHBA lejon menjëherë eksportin e plotë të naftës iraniane dhe transaksionet bankare.

11. Asetet: Zhbllokimi dhe vënia e menjëhershme në dispozicion e të gjitha fondeve të ngrira të Iranit.

12. Monitorimi: Ngritja e një mekanizmi të përbashkët ekzekutiv për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.

13. Kushti: Negociatat për marrëveshjen finale nisin vetëm pas zbatimit të pikave kryesore.

14. OKB: Marrëveshja përfundimtare do të miratohet me një Rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurimit.

/tvklan.al