Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe duke lënë 36 persona të tjerë të zhdukur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fabrikën “Fonusa Agung Mulia”, në provincën Banten, pranë kryeqytetit Xhakarta, ku në momentin e shpërthimit të zjarrit ndodheshin rreth 60 punonjës.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, të paktën 15 persona janë nxjerrë të gjallë nga godina, ndërsa katër prej tyre janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Zjarri vijonte të ishte aktiv në disa pjesë të ndërtesës edhe më shumë se 12 orë pas nisjes së tij, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po punonin për shuarjen e flakëve dhe ftohjen e zonave të prekura.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ekipet e emergjencave dhe Kryqi i Kuq indonezian. Puna e tyre është përqendruar në sektorët e ndryshëm të fabrikës, veçanërisht në zonat ku dyshohet se mund të kenë mbetur të bllokuar persona. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë tymin e zi dhe flakët që dalin nga godina trekatëshe, ndërsa dëmet materiale në ambientet e brendshme të fabrikës janë të konsiderueshme.

Fabrika prodhonte produkte me bazë qumështi, të njohura me emrin “Milkita”. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa familjarë të punonjësve janë mbledhur jashtë objektit në pritje të lajmeve për të afërmit e tyre.

Indonezia është përballur edhe më parë me zjarre vdekjeprurëse. Dhjetorin e kaluar, një zjarr në një ndërtesë zyrash në Xhakarta shkaktoi të paktën 22 viktima, ndërsa në vitin 2023, një shpërthim në një impiant për përpunimin e nikelit la të vdekur të paktën 13 persona.

/tvklan.al