Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë i pandehur në lidhje me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljanit (Sheqerit), i cili u vra në atentatin në Rinas bashkë me Gilmando Danin. Saliasi është marrë i pandehur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së për shpërdorim detyre.
Për të njëjtën vepër penale është marrë i pandehur edhe drejtori i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala. Ndaj tij fillimisht ishte caktuar masa e pezullimit nga detyra, masë e cila është rrëzuar nga Gjykata e Apelit dhe ai është rikthyer në detyrë.
Saliasi dhe Sala dyshohet se kanë dhënë urdhër që punësimi i Shaljanit të pranohet me kontratë të përkohshme për nevoja emergjente, procedurë që është kryer në kundërshtim me ligjin.
40-vjeçari kishte kërkuar të punësohej në AMP më 9 shtator të vitit të shkuar dhe u punësua brenda 6 ditësh, në kundërshtim me ligjin. Punësimi i tij, sipas autoriteteve, duhej të bëhej pas disa fazave: nga hapja e vendit vakant, konkurrimi, testimi, deri tek urdhri i emërimit në detyrë. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se Muçi Shaljani u pagua me rrogë të rregullt nga data 16 shtator deri më 11 nëntor 2025 (data e ngjarjes në rrethrrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë apo zhvilluar ndonjë detyrë.
Ditën e ngjarjes atij iu gjet edhe një dokument i falsifikuar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Atentati mafioz i Rinasit, që i mori jetën punonjësit të AMP-së dhe Gilmando Danit, prej një muaji po hetohet nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 