Në prag të Samitit të NATO-s në Ankara, Gjermania dhe aleanca Atlantike dhanë sinjale për një rritje të angazhimit në fushën e mbrojtjes.
Për herë të parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mori pjesë në mbledhjen e kabinetit federal gjerman në Bendlerblock, selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin.
Qeveria gjermane miratoi projektligjin për forcimin e rezervës ushtarake, si edhe ligjin për përshpejtimin e ndërtimit të infrastrukturës së Bundeswehr.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kancelari Friedrich Merz theksoi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, por pa dobësuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“NATO duhet të bëhet më evropiane që të mbetet transatlantike. Kjo do të thotë që aleatët evropianë duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, të marrin më shumë përgjegjësi dhe të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake. Vetëm në këtë mënyrë partneriteti me Shtetet e Bashkuara do të mbetet i fortë dhe Aleanca do të vazhdojë të jetë garancia kryesore e sigurisë sonë”, pohoi Merz.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e cilësoi Gjermaninë një vend që udhëheq dhe jep rezultate.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të pazëvendësueshme për mbrojtjen e Ukrainës dhe për sigurinë e Aleancës. NATO do të mbetet gjithmonë një aleancë transatlantike, por aleatët evropianë dhe Kanadaja po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale të Evropës, duke punuar ngushtë me SHBA-në. Gjermania është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës në Evropë dhe një fuqi industriale që mund të luajë një rol vendimtar në rritjen e prodhimit të industrisë së mbrojtjes”, deklaroi Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje industrive të mbrojtjes në të gjitha vendet aleate të hapin linja të reja prodhimi, të zgjerojnë zinxhirët e furnizimit dhe të përshpejtojnë prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
