Pothuajse një vit pas arratisjes së papritur nga Damasku, më 8 dhjetor 2024, ish-presidenti sirian Bashar al-Assad po jeton në Moskë, nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e presidentit rus Vladimir Putin.
I strehuar në Moskë, Assad kalon ditët mes qendrës tregtare nën ndërtesë dhe lojërave elektronike, duke ruajtur një profil të ulët.
Sipas revistës gjermane Die Zeit, e cila citon një ish-anëtar të rrethit të ngushtë të Assadit, ish-udhëheqësi sirian jeton në tri nga 19 apartamentet që i përkasin kushërinjve të tij, familjes Makhlouf.
Apartamentet përshkruhen si jashtëzakonisht luksoze: lartësi tavanesh deri në 20 metra, ambiente me vepra arti modern, arredim me përfundime të arta dhe dritare panoramike me pamje nga Moska dhe lumi Moskva. Aty ndodhen kuzhina me pajisje gjermane, dhoma me televizorë të mëdhenj dhe banjo të veshura me mermer të Carraras me vaska të mëdha përballë dritareve të mëdha katërmetërshe.
Ndërkohë, gruaja e Assadit, Asma, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi kanceri i gjirit i është rikthyer në pranverën e vitit 2024. Vëllai i tij më i vogël, Maher al-Assad, është vendosur në hotelin “Four Seasons” në Moskë dhe sipas burimeve, kalon kohën duke pirë dhe duke tymosur narghile.
Arratisja e Assadit nga Siria erdhi pas një ofensive të befasishme që përmbysi regjimin e tij në fund të vitit 2024. Më 29 janar 2025, Ahmad al-Sharaa, i njohur edhe si Mohamad al-Jolani, ish-komandant milicie, u vetëshpall udhëheqës i ri i Sirisë.
Ditën e djeshme, al-Jolani vizitoi për herë të parë Moskën që prej marrjes së pushtetit dhe, gjatë një takimi me Putinin, premtoi “rishikim” të marrëdhënieve me Rusinë. Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, në prapaskenë ai kërkoi ekstradimin e Assadit dhe të gjithë atyre që kanë kryer “krime lufte”, për t’i nxjerrë përpara drejtësisë. Kjo kërkesë vështirë se do të pranohet, pasi revokimi i azilit të Assadit mund të dëmtonte imazhin e Rusisë si një aleat i besueshëm në arenën ndërkombëtare.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Assad është përpjekur të qëndrojë i heshtur dhe larg vëmendjes publike, duke iu përmbajtur urdhrit të heshtjes që, sipas burimeve, i është imponuar nga Kremlini. Megjithatë, ai qarkullon lirshëm në Moskë dhe mbrohet nga trupa sigurie private të financuara nga shteti rus.
Rrethana të reja mbi arratisjen e familjes Assad kanë dalë në dritë përmes një videoje të publikuar në shkurt nga djali i tij, Hafez. Sipas tij, nuk kishte asnjë plan të paracaktuar për largim nga Siria.
Më 20 nëntor 2024, kur nisën trazirat në Damask, Hafez ndodhej në Moskë për të diskutuar tezën e doktoraturës, ndërsa nëna e tij ishte tashmë atje për trajtim mjekësor. Pasi situata u përkeqësua dhe ushtria u tërhoq nga qyteti Homs, një zyrtar rus ftoi familjen të zhvendosej në Latakia, e më pas, përmes bazës ajrore ruse në Hmeimim, u evakuuan përfundimisht drejt Moskës.
Asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet ruse, por ekzili i qetë dhe luksoz i Assadit në Rusi mund të vihet seriozisht në pikëpyetje pas zhvillimeve të fundit politike në Siri.
/tvklan.al












Botërori 2026 
