Diagnostikimi me kancer i Princeshës Kate Middleton ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe dhe më gjerë.

Lajmi zuri faqet e para të shtypit vendas këtë të shtunë, me tituj të mëdhenj ku shprehet tronditje nga rrëfimi i Kate, e cila prej kohësh qëndronte jashtë syve të publikut, duke ushqyer spekulime se ajo mund të kishte ndërruar jetë dhe se qarkullonte një sozi e saj. Rasti është temë kryesore e bisedave mes britanikëve.

“Është jashtëzakonisht e trishtueshme. Dhe unë mund ta imagjinoj vetëm se çfarë po kalon familja e saj tani. Shpresoj që të jetë në gjendje të shërohet”, thotë një banore.

“Është një lajm tronditës sigurisht, ajo është shumë e re. Kjo duhet të jetë një tronditje e vërtetë për familjen, veçanërisht pas mbretit Charles i cili gjithashtu është i sëmurë”, shprehet një turist. 

Mbreti Charles III bëri thirrje asaj të ketë kurajo për ta përballuar këtë sfidë. Mesazhe mbështetëse, Kate ka marrë nga shumë liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin amerikan Joe Biden.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se edhe Princi Herri dhe bashkëshortja e tij i kanë dërguar një mesazh ku i urojnë shërim të shpejtë, që është interpretuar si një fjali e ftohtë nisur edhe nga mosmarrëveshjet mes tyre dhe familjes mbretërore.

Ekspertët mjekësorë thanë se Kate mund të ketë një rrugë të gjatë përpara. 42-vjeçarja po i nënshtrohet kimioterapisë.

Tv Klan