Pep Guardiola ka mbajtur një fjalim të zjarrtë rreth konfliktit në Gaza, duke thënë se bota i ka ‘braktisur’ palestinezët.

Menaxheri i Manchester City-t, i cili nuk ka ngurruar të shprehë mendimin e tij për çështjet botërore në të kaluarën, dha verdiktin e tij ndërsa foli në radion spanjolle të hënën.

“Sa herë që imagjinoj atë që po u ndodh njerëzve të Palestinës, është sikur e gjithë bota i ka lënë ata vetëm! I imagjinoj njerëzit atje duke pritur që ne të lëvizim një gisht, të bëjmë diçka, dhe që askush nuk ka bërë asgjë! Ata nuk janë fajtorë që kanë lindur në Palestinë. Djemtë apo vajzat, baballarët apo nënat, gjyshërit apo gjyshet që kanë lindur atje! U bë një kohë e gjatë që ne kemi lejuar shkatërrimin e një populli të tërë. Sepse ata thonë, ‘mos thoni gjenocid’! Pyes veten çfarë është atëherë! Njerëzit që jetojnë atje, ne i kemi braktisur”, tha Pep Guardiola, trajner i Manchester City.

Rreth 70,000 palestinezë janë vrarë që nga sulmet e 7 tetorit 2023, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Reagimi i teknikut të City-t erdhi vetëm një javë pasi një numër i madh yjesh të Premier League, në total 70 sportistë të disiplinave të ndryshme, nënshkruan një letër duke kërkuar që UEFA të pezullojë Izraelin nga garat ndërkombëtare.

Grupi i quajtur “Sportistët për Paqen” po ushtron presion ndaj institucionit të futbollit europian që të lërë mënjanë armëpushimin e fundit dhe të ndalojë Izraelin.

Në shtator, një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid kundër Palestinës në Gaza.

Klan News

/tvklan.al