Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë zhvilloi ceremoninë e diplomimit të brezit të 15-të të studentëve, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme të formimit të tyre akademik dhe nisjen e një rrugëtimi të ri profesional.

Ceremonia u hap nga themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademiku Anastas Angjeli.

“Sot ju dorëzojmë një diplomë. Nesër jeta do t’ju kërkojë të tregoni çfarë bëni me të. E ardhmja nuk do t’ju vijë e gatshme. Do t’ju duhet ta ndërtoni, me dije dhe disiplinë, me guxim dhe ndershmëri, me teknologji, por edhe me humanizëm, me ambicie personale, por edhe me përgjegjësi shoqërore.”

Të ftuar në këtë ceremoni ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi, të cilët përshëndetën ceremoninë dhe të diplomuarit e brezit të 15-të.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici, nënvizoi se brezi i ri po rritet në një kohë ndryshimesh të mëdha.

“Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë beson se arsimi i lartë duhet të përgatisë profesionistë të zotë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm. Një shoqëri ka nevojë për njerëz që dinë, por mbi të gjitha për njerëz që dinë ta përdorin dijen me integritet.”

Universiteti Mesdhetar ka hyrë në vitin e 18-të nga themelimi, duke u kthyer në një nga universitetet më elitare në vend.

Klan News

/tvklan.al