Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë do të ofrojë këtë vit akademik dy programe të reja master profesional në fushën e edukimit.

Në përputhje me nevojat e tregut të punës, do të ofrohen për herë të parë: Master Profesional në “Mësuesi për Arsimin Fillor” dhe “Mësuesi për Arsimin Special”.

Këto programe u prezantuan në tryezën e debatit me temë “Edukimi përballë sfidave të zhvillimit: Si po ndikon tregu i punës në zhvillimin e profesionistëve të arsimit”.

Në këtë tryezë morën pjesë drejtues të lartë të UMSH-së dhe stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Humane.

“Qëllimi ynë kryesor ka qenë që ne të ndërtojmë një kurrikul modern për ta çuar edukimin shqiptar në një nivel tjetër, në edukimin global”, u shpreh Nevila Rama, zv/rektore e Universitetit Mesdhetar.

“Universiteti ynë prodhon jo qytetarë me diplomë, por janë qytetarë humanë të cilët diplomën e tyre e gjejnë të zbatueshme në tregun e tyre të punës dhe japin standard e cilësi”, u shpreh Nora Malaj, pedagoge në Universitetin Mesdhetar.

“Prodhimi, krijimi, formimi i gjeneratave të reja të mësuesve, të cilët do të përgatiten në dy plane të rëndësishme, shkollim-edukim dhe formim-psikologjik. Mësues pa një formim të caktuar psikologjik nuk mund të bëhen mësues të mirë”, tha Përparim Kabo, zv/rektor i Universitetit Mesdhetar.

Hapja e këtyre dy programeve është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave aktuale të sistemit arsimor shqiptar, që kërkon me urgjencë mësues të mirëformuar, të përkushtuar dhe profesionalë, sidomos në fazat më kritike të zhvillimit të fëmijëve.

Klan News

/tvklan.al