Meta akuza ekspertëve të huaj për Reformën në Drejtësi



Meta akuza ekspertëve të huaj për Reformën në Drejtësi

15:33 26/05/2020

Presidenti publikon mesazhin në Opinion: Shikoni si punojnë

Nëpërmjet një mesazhi të një diplomati të huaj në Tiranë, të publikuar në emisionin Opinion, Presidenti i Republikës Ilir Meta akuzoi disa ekspertë ndërkombëtare të angazhuar me Reformën në Drejtësi, se së bashku me Kryeministrin Rama vendosin në prapaskenë se çfarë do të ndodhë me reformën.

“Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë me Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat, një njeri shumë korrekt që ka qenë në atë takim. Nuk e ka nisur në emrin e tij, e ka nisur në emrin e ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së. ‘Mirëmëngjesi Beni’, thotë ditën tjetër ai, në darkë ishin në pritje dhe nuk i kishin të qarta si e tek. ‘Takova, thotë, kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin’, gjë të cilën nuk ma thanë mua ata në darkë. ‘Dhe ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para’, që të mos i bjerë të fikët Presidentit, kur të dalin ata të mos i bjerë të fikët”.

Presidenti thotë se ky mesazh tregon se kush është ai që e bllokon Reformën në Drejtësi.

“Tani shikoje, ‘Rama, thonë ata, megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e Presidentit për tjetrën, që do të bëhet shumë shpejt. Dhe Rama do të përpiqet të mos bllokojë këtë’. Pra është Rama që i bllokon, nuk është KED-ja që i filtron kandidatët”.

Rezerva me emër të perveçëm shprehu për 2 ambasadorët Kim dhe Soreca që nuk i kanë marrë në konsideratë shqetësimet dhe propozimet e tij zyrtare për të mos cënuar Reformën në Drejtësi.

Duke iu përgjigjur mesazheve publike të ambasadores amerikane për lojëra në kurriz të Reformës në Drejtësi, Meta ripërsëriti se nuk i drejtoheshin atij, pasi ai nuk ishte aktor i reformës.

Por Meta premton se këto ishin përpjekjet e fundit për të bërë që Reforma në Drejtësi.

Por pavarësisht këtij premtimi, Meta thotë se kur të jetë momenti ai do të bëjë publike të tjera prova që Kryeministri Rama po punon për destabilizimin e vendit. Pjesë e këtij plani thotë se ishte dhe shembja e Teatrit Kombëtar.

Presidenti shpjegon edhe përse nuk vendosi të shpërndajë Parlamentin, siç premtoi në tubimin e zhvilluar më 2 Mars.

Edhe për menaxhimin e situatës se covidit ka rezerva për Kryemininstrin dhe deklaron se dhe Komiteti i Ekspertëve është i paligjshëm.

Tv Klan



Të ngjashme