Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin  për projektin “Aftësi për punë”, pas marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, Konfederata Zvicerane parashikon t’i japë vendit tonë, deri më 30 gusht 2023, fonde në formën e grantit të parimbursueshëm, në vlerën maksimale prej 9.6 milionë frangash zvicerane (rreth 8.8 milionë Euro). Këto fonde do të përdoren për realizimin e projektit “Aftësi për punë“, faza e dytë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Por cilat janë risitë e kësaj marrëveshje sipas Presidencës:

1. Gjeneratat në moshë të re nga të gjitha grupet sociale në Shqipëri të gjejnë mundësi të mira dhe fitimprurëse punësimi falë përmirësimit të aftësive.

2. Gjeneratat në moshë të re të kenë akses në arsim performues me orientim drejt tregut të punës dhe ofrimit të trajnimit në sektorë me potencial zhvillimi.

3. Sektori privat merr përsipër përgjegjësinë për përcaktimin, ofrimin dhe financimin e arsimit e formimit profesional në nivel ofruesi.

“Presidenti i Republikës gjen rastin të vlerësojë ndihmën e drejtpërdrejtë të Konfederatës Zvicerane, veçanërisht në rastin konkret, për të kontribuar në mbështetjen e moshave të reja të të gjitha grupeve sociale në Shqipëri, përmes projekteve për përmirësimin e aftësive profesionale”, thuhet në fund të njoftimit. /tvklan.al