Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi kërkuan këtë të enjte nga gjykata pavlefshmërinë e provave që Prokuroria e Posaçme mblodhi gjatë hetimeve.

Në afro 5 orë seancë për gjykimin e tyre për akuzat e korrupsionit, pastrimit te parave dhe mosdeklarimit te pasurive, mbrojtja e ish-çiftit u përqendrua në ligjshmërinë e marrjes së provave, që sipas SPAK konfirmojnë akuzat.

Meta vetë dhe përmes avokatit Bujar Musta, pretenduan para treshes së gjyqtarëve që disa përgjime të sjella në gjykim nga Prokuroria, e cila thotë se ka mesazhe mes ish-presidentit dhe biznesmenit Kastriot Ismailaj, janë të paperdorshme.

Forma e marrjes së tyre sipas mbrojtjes është e paligjshme. Edhe disa intervista të marra si provë sipas tyre nuk duhet të përdoren, por të pyeten vetë personat.

Ndërsa ish-deputetja Monika Kryemadhi kerkoi nga Gjykata te shpallë te papërdorshme mesazhet e nxjerra nga telefoni i saj.

Kryemadhi argumentoi se kontrolli në banesën ku ajo jetonte, pavarësisht se ishte në emrin e mëmës së saj, ishte i paligjshëm sepse në atë kohë ishte deputete dhe aty kishte vendbanimin.

Po ashtu, ish-deputetja shtoi se pasi SPAK konfirmoi që telefoni i sekuestruar ishte i saj, për hapjen e tij do të duhet të kishte marrë leje në Kuvend.

Në përfundim, Kryemadhi mohoi çdo bashkëpunim që SPAK i atribuon asaj me ish-bashkëshortin Ilir Meta.

Tv Klan

/tvklan.al