Me anë të një letre dërguar kreut të Prokurorisë së Posaçme Klodian Braho, të bërë publike në rrjetet e tij sociale kërkon publikimin e kontratës së lobimit të LSI-së në SHBA, duke pretenduar se mbajtja sekret e dokumenteve po ia pamundëson mbrojtjen në gjykatë. Meta kërkon po ashtu që të mos ketë asnjë kërkesë të re ndaj autoriteteve amerikane për shtyrjen e afatit të mosbërjes publike të dokumenteve që lidhen me kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS.

“Kërkesa ime besoj se është edhe në interes të zbardhjes totale të kësaj çështjeje dhe vendosjes para përgjegjësisë penale të cilitdo që ka shkelur ligjet shqiptare dhe amerikane përfshirë edhe Ilir Metën, por vetëm bazuar në ligjshmërinë e provave çfarë ka qenë e pamundur deri tani për shkak të bllokimit të transparencës nga prokurorët e çështjes”, shprehet Meta.

Ai e akuzon SPAK-un për shkelje procedurale dhe ndikim politik në hetimet ndaj tij.

 “Që të bindeni se nuk kam asnjë ngarkesë emocionale apo paragjykimi për prokurorët e çështjes ju lutem lexoni vetëm letërporosinë që ata i kanë dërguar autoriteteve amerikane më 11 mars 2025”, shton ai.

Sipas Metës, afati i vendosur nga gjykata amerikane përfundon më 23 qershor 2026 dhe çdo zgjatje tjetër do të dëmtonte procesin e mbrojtjes së tij.

Ish-presidenti pretendon se kontrata e vitit 2016 është regjistruar sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane e nuk përmban asnjë element që cenon sigurinë kombëtare.

Tv Klan

/tvklan.al