Presidenti Ilir Meta theksoi mbrëmjen e së hënës në “Opinion” se pas ngjarjeve që pasuan shembjen e Teatrit Kombëtar, nuk kanë më kuptim rregullat e karantinës që vendos kryeministri Edi Rama.

Ai tha se “tani Edi Rama e ka kthyer në argëtim këtë punën, kënaqet në Facebook”.

Blendi Fevziu: Hapja pas rregullave të karantinës, kufizimeve nga pandemia, duket se ka një debat të gjerë, hapja a duhet të jetë më e shpejtë, a duhet të lejohet turizmi, nisur nga shifrat shumë të vogla të të infektuarave…?

Ilir Meta: Tani zotëri, pas asaj që ka ndodhur me 17 Maj ku 1500-2000 policë, krah për krah, atje bashkë me artistët dhe etj, etj, nuk ka më kuptim kjo histori. Këtu tani duhen këto rregullat e distancimit social, etj.

Blendi Fevziu: Tani mendoni se hapja duhet të jetë më e shpejtë?

Ilir Meta: Tani Edi Rama e ka kthyer në argëtim këtë punën, kënaqet në Facebook, 2 orë aty, 1 orë aty, mami me gocën, me çunin. Ka krijuar një komision, që edhe komisionin e shpalli pas insistimit tim, vetëm pas 2-3 javësh, që është një komision i paligjshëm, sepse ligji e bën shumë të qartë që s’mund të jetë zv/ministrja apo drejtorët në këtë komision, por duhet të jenë njerëz epidemologë etj. Siç ka bërë gjithë shtetin po e menaxhon edhe këtë situatë. Unë bëra më të mirën gjatë kësaj situate për të bashkëpunuar me qeverinë, mbas kësaj që ka ndodhur me 17 Maj është e qartë që ai nuk ka më kujdesin e njerëzve, po ta kishte s’do ta bënte kurrë atë që bëri tek Teatri. /tvklan.al