Ilir Meta ka vijuar akuzat ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani duke e konsideruar atë një “pistoletë” të Edi Ramës që synon të marrë peng Partinë e Lirisë për të ekzekutuar pluralizmin politik.

Ilir Meta: Ça prokurori je ti? Gjëmon vjehrrën time ti, merr peng vjehrrën time, familjen time…E kujton se do marrësh PL-në që t’ja çosh atij tarallakut.

Deklaratat e Metës pasuan mbështetjen që Ambasada amerikane i dha SPAK-ut në luftën ndaj pashkueshmërisë. Meta i mbështet këto deklarata dhe prokurorët e ndershëm në SPAK, por jo Altin Dumanin që sipas tij, po merret me politikë në ndihmë të kryeministrit.

Ilir Meta: U kërkoj ndjesë të gjithë prokurorëve të SPAK që nuk janë si ai. Po pse mo palaço kam frikë nga burgu yt, dhe amerikanët e tu si Adriani dhe McGonigali? Se edhe Adriani amerikan është, po Ilir Meta nga burgu do ta shpërbëjë atë celulë kriminale që është atje. O palaço!

Meta adresoi një ftesë publike ndaj kreut të SPAK-ut që të përballej me të në një debat televiziv meqë sipas tij ka vendosur që të merret me politikë.

Ilir Meta: Hajde dil në televizor me mua ti, meqë ke vendos të merresh me politikë. Si flet ti në emër të SPAK-ut, po SPAK-un prandaj e bëmë që çdo prokuror të ketë përgjegjësinë  e tij. Ti je aty për të firmosur në emër të SPAK, jo për të bërë zëdhënësin politik të partisë Rilindje. Do sjellësh ti demokracinë? Injorant! Të kanë thënë ty amerikanët të më fusësh mua në burg, po kur të duash ti edhe amerikanët e tu. Ballafaqohemi këtu, edhe në Amerikë.

I pyetur nëse ka frikë se mund të futet në burg për çështje CEZ-DIA, Meta u shpreh se “nuk ia ndjen fare” sepse e konsideron veten të pastër si kristali.

Meta pretendoi se Dumani i kishte çuar njerëz me këshillën që ai të largohej nga Shqipëria, për t’i shpëtuar qelisë së burgut.

Ilir Meta: Po i them tani Dum Dumanit, 3 herë një gazetare që të del ty te “Metamorfoza” dhe përmend emrin tim, që po më heton mua për CEZ-DIA, që më ke sjellë njerëz që të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë?! Që të dridhet goja…Ai nuk ka kurajo të merret me aferën e Ramës e Damianit me CEZ-in 600 mln euro.

Meta ka deklaruar se SPAK mund të vendosë që t’i sekuestrojë pasuritë, por ai tha se nuk ka asnjë pronë, por vetëm një pjesë të shtëpisë së prindërve të cilët tha se do ia falte motrës e cila kujdesej për prindërit e tij.

Klan News