Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili e kishte ndjekur nga afër ndeshjen e basketbollit, ka dënuar thirrjet antishqiptare.

“Edhe pse isha i pranishëm në sallë, nuk i vura re tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi bëhej fjalë për një grup të vogël njerëzish. I bashkohem dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë, së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë dhe Rumanisë. Thirrjet kundër shqiptarëve do të jenë objekt hetimi dhe dënimi, pa marrë parasysh nga kanë ardhur. E dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë,” tha kryeministri maqedonas.

Prokuroria maqedonase njoftoi se ka nisur hetimet për këtë ngjarje.

Organi i akuzës po mbledh provat në videot e kamerave të sigurisë që të identifikojë huliganët që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes antishqiptare.

Sipas Kodit Penal, për ata që nxisin intolerancë kombëtare, parashikohet dënim deri në pesë vite burg.

Dyshimet janë se thirrjet raciste kanë ardhur nga tifo grupi i quajtur “Kumani” nga Kumanova.

Hristijan Mickoski u bë kryeministër i Maqedonisë së Veriut edhe me votat e koalicionit VLEN, ku bëjnë pjesë disa parti shqiptare.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës ka kërkuar që shteti fqinj të marrë masa të menjëhershme kundër organizatorëve të thirrjeve antishqiptare.

Gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll, u dëgjuan thirrje si: “Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.

Tv Klan

/tvklan.al