Mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një prononcim për gazetarë gjatë protestës ka thënë se vendimi dënues i Gjykatës Speciale ndaj katër ish krerëve të UÇK-së është i papranueshëm dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.

E kreu i OVL të UÇK-së Hysni Gucati  ka kërkuar që Gjykata e Hagës të shfuqizojë vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së ndërsa kryeministrit Albin Kurti i ka kërkuar ta shkarkojë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Kjo organizatë ka dalë me katër kërkesa zyrtare në këtë protestë. Djali i Kadri Veselit pas protestës tha se beson që mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së nuk e kanë humbur besimin te bota perëndimore dhe drejtësia e saj.

Katër ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Mbrojtja ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin.

KERKESAT E PROTESTUESVE

– Shfuqizim ose ndryshim i ligjit për Dhomat e Specializuara

– Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla

– Përkrahje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UÇK dhe kombit tonë

– Angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë

/tvklan.al