Ndonjëherë, fati fshihet pas një vendimi të vogël. Një zgjedhje e çastit, një lëvizje e zakonshme, që në fund mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Këtë e ka përjetuar nga afër Mikel Merino, mesfushori spanjoll i Arsenalit, i cili beson se një ndryshim i minutës së fundit në vendin ku u ul në autobusin e Borusia Dortmundit mund t’i ketë shpëtuar jetën.
Ishte viti 2017. Merino ishte vetëm 20 vjeç dhe Dortmundi po udhëtonte drejt stadiumit për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Monakos.
Por rrugëtimi drejt futbollit të madh u kthye papritur në një makth. Tri bomba, të mbushura me kunja metalike dhe të vendosura në një gardh me shkurre, shpërthyen pikërisht në çastin kur autobusi kalonte pranë tyre.
Mes copave të metalit që fluturuan nga shpërthimi, njëra përfundoi e ngulur në mbështetësen e kokës së sediljes ku Merino ulej zakonisht.
Por atë ditë, ai ishte ulur diku tjetër.
Një vendim i vogël, i marrë pa e ditur se çfarë e priste vetëm pak çaste më vonë. Arsyeja? Këmbët i ndiente pak të tendosura dhe kishte vendosur të ndryshonte vend.
Në rrëfimin e tij për “The Players’ Tribune”, Merino kujton një moment kur një shqetësim i zakonshëm fizik mund të ketë ndryshuar gjithçka.
“Sediljet në pjesën e përparme mund të mbështeteshin mbrapa, ndaj u ula atje dhe kjo mund të ma ketë shpëtuar jetën. Mendoj se kam një engjëll mbi supe. Në fakt, jam me fat që jam gjallë. Shumë të rinj ndoshta as nuk do ta besonin se kjo ka ndodhur, apo sa e rëndë ishte situata, por ajo na la gjurmë të gjithëve. Dëgjuam një zhurmë shurdhuese dhe më pas kujtoj se autobusi gati u përmbys”, tha Merino.
Merino kujton se pa gjak në dysheme, ndjeu erën e tymit dhe dëgjoi britmat e njerëzve. Pas sulmit, ai shkoi në spital për të pritur shokun e skuadrës, Marc Bartra, i cili iu nënshtrua një operacioni për shkak të një frakture në kyçin e dorës.
Sergei Wenergold, një shtetas gjerman me origjinë ruse, u dënua me burg në vitin 2018, pasi pranoi se kishte kryer sulmin.
Në intervistë Merino tregon edhe sakrificat që ka bërë për të marrë pjesë në Botëror me Spanjën pas dëmtimit që pësoi.
“Doktori më tha: ‘Do të kthehesh pas gjashtë muajsh.” Isha aq i tronditur, sa nuk arrija as të ndihesha i trishtuar. Thjesht bëra llogaritë në mendje. Kupa e Botës ishte vetëm katër muaj larg. Kur ia tregova gruas sime, Lolës, atëherë u dorëzova emocionalisht dhe shpërtheva në lot. Mendja ime e kishte kuptuar tashmë situatën, por zemrës sime i duhej ta dëgjonte nga goja ime”, tha Merino.
Mesfushori kishte luajtur në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, por nuk ishte përzgjedhur në listën përfundimtare të Spanjës. Ai nuk donte as ta mendonte mundësinë që të mbetej sërish jashtë.
“Siç themi ne në Spanjë, vura gjithçka në lojë. Më thanë se mund të vendosnin dy vida në këmbën time për t’i dhënë më shumë mbështetje. Unë u thashë: ‘Vamos, vendosini!’”, tha Merino.
Megjithatë, vëmendja e tij ishte përqendruar te ndeshja e fundit e sezonit kundër Crystal Palace, më 24 maj, pasi trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, do të shpallte listën për Kupën e Botës të nesërmen.
“Zero minuta në katër muaj. Si mund ta grumbullosh një lojtar në këto kushte?”, tha Merino.
“Gjithë javën kalova duke diskutuar me trajnerin e Arsenalit, Mikel Artetën, dhe me fizioterapistët. Plani ishte që të rikthehesha për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain, më 30 maj, dhe edhe kjo ishte e rrezikshme. Por duhej t’i tregoja De la Fuentes se isha gati. Në fund, ata ranë që të luaja 30 minuta kundër Kristal Palas”, tha Merino.
Atë ditë, Merino luajti me 100% të mundësive të tij për të siguruar vendin në Kupën e Botës, por gjithccka nuk ishte vendosur ende.
“Të nesërmen ndeza televizorin spanjoll. Isha ulur në divan dhe përsërisja: ‘Të lutem, të lutem, të lutem!’ Në një moment, në ekran u shfaq një grua në një vresht… Mikel Merino!” Përqafova Lolën. Putha djalin tim, Markon. Telefoni nuk pushonte së marrë mesazhe. Do të shkoja në Kupën e Botës”, tha Merino.
Dy gola vendimtarë që kualifikuan Spanjën në raundin tjetër, kundër Portugalisë dhe Belgjikës. Dhe në fund: Kampion Bote!.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
