Milani ka zyrtarizuar blerjen e Alvaro Moratës. Pas fitores së Kampionatit  Europian, kapiteni i Spanjës, kishte kryer vizitat mjekësore me kuqezinjtë dhe mesditën e së premtes erdhi edhe njoftimi i klubit kuqezi.

Sulmuesi 31-vjeçar ka firmosur kontratën me “Djallin” deri më 30 Qershor 2028, me opsionin për të rinovuar edhe për një tjetër vit futbollistik.

Milani do t’i paguajë Atletiko Madridit 13 milion euro për kartonin e lojtarit.

Spanjolli rikthehet në Serie A, pasi më herët është aktivizuar te Juventus nga viti 2014 deri në 2016, sedhe nga 2020 deri në 2022. Kapiteni i “La Roja” do të mbajë numrin 7 te Milani.

31-vjeçari do të përfitojë 4,5 milion euro neto në një vit futbollistik. Morata është afrimi i parë i ekipit, që drejtohet nga trajneri Paulo Fonseka.

Ndërkohë klubi italian ka arritur një tjetër sukses, këtë herë financiar. Milani është klubi, marka e të cilit ka rritjen më të madhe në periudhën 2021-2024, me një përqindje +162.

Nga 150, vlera e “Djallit’ ka shkuar në 400 milion euro.

Klan News