Sergio Conceicao po provon gjithçka për ta nxjerrë Milanin nga ky moment krize! Jo vetëm në aspektin mendor apo tekniko-taktik, por edhe atë fizik. Sipas asaj që raporton La Repubblica, trajneri i kuqezinjve ka hasur në fakt disa probleme me peshën te një pjesë e skuadrës dhe ka marrë vendimin që t’i vendosë lojtarët në dietë.

Në veçanti, ndryshime rrënjësore duhet që të bëjnë futbollistë të cilët janë mbi 90 kg. Nën shënjestrën e teknikut portugez ka përfunduar portieri Mike Maignan, i cili është cilësuar jo shumë i shkathët dhe reagues mes shtyllave.

Francezi është më i rëndë se sa duhet dhe jashtë forme. Sipas trajnerit, kjo situatë duhet që të ndryshojë sa më shpejt dhe duhet mbajtur nën kontroll të ngushtë ushqyerja e lojtarëve dhe konsumimi i kalorive.

Conceicao i ka kërkuar stafit që çdo ditë futbollistët të peshohen, në mënyrë që të ketë të dhëna të hollësishme për peshën e tyre.

Veç kësaj, për të kuptuar në detaje formën fizike dhe kushtet e përgjithshme të skuadrës, stafi kuqezi po monitoron në fakt edhe parametrat e gjumit të lojtarëve, shpesh të konsideruar si të pamjaftueshëm dhe jashtë standardeve për një sportist profesionist.

Nga disa tifozë kjo mund të konsiderohet si një lëvizje e dëshpëruar e Conceicao-s për të rikthyer sezonin në rrugën e duhur, por nga ana tjetër mund të sjellë të dhëna të rëndësishme për zgjedhjet e formacionit titullar dhe të përmirësojë performancën e ekipit në fushë.

Klan News

/tvklan.al