Në momentet e fundit të merkatos, Milani ka bërë lëvizje konkrete për mesfushorin Adrien Rabiot.

Drejtori sportiv Igli Tare pati bisedime me të ëmën e futbollistit, Veronique-n, që ka edhe rolin e menaxheres.

Drejtuesit kuqezinj kanë nevojë që të kenë një ide nëse francezi dëshiron largimin nga Marseille apo jo. Fakti që “Djalli” nuk do të luajë në Europë e komplikon situatën. Sipas trajnerit Massimiliano Allegri, francezi mund të bëjë një hap prapa nga ambiciet e tij, duke hequr dorë nga një vit në Evropë për t’u ribashkuar me trajnerin që e ka vlerësuar gjatë karrierës së tij.

Pas konfirmimit të futbollistit, duhet që të gjendet akordi me Marseille-n, klub me të cilin lojtari nuk i ka marrëdhëniet e mira. Sipas Corriere dello Sport, ka pasur kontakte me klubet, ndërsa trajneri Roberto de Zerbi mendon se mesfushorit i duhet dhënë një tjetër mundësi. Por palët janë larg paqes! Milani kërkon të përfitojë dhe është gati të paguajë deri në 15 milionë euro për kartonin e tij. Rabiot do të përfitojë rreth 5 milionë euro në sezon.

Në bisedime mund të futet edhe lojtari i kuqezinjve, Ismael Bennacer. Si alternativë ndaj ish-lojtarit të Juventusit, mbetet gjallë emri i Giovanni Fabbian-it nga Bologna, për të cilin është gati një ofertë prej 12 milionë eurosh plus 3 milionë bonuse. Gjithçka, sidoqoftë, është gjithmonë e varur nga shitja e Yunus Musah-it te Atalanta, për të cilin po negociohet një shifër midis 25 dhe 30 milionë eurosh.

Klan News

/tvklan.al