Ajo që sheh kamera jonë është rezultat i asaj që konfirmon cdo banor i Tiranës, që situata në menaxhimin e mbetjeve është kritike.

Koshat janë të vjetër, me kapake të shkatërruar, shpesh të tejmbushur dhe nuk pastrohen prej ditësh.

Diferencimi i mbeturinave, që supozohet të jetë shërbimi kryesor Eco Tirana sh.a, është praktikisht inekzistent.

Megjithatë, kompania që menaxhon këtë shërbim raporton të ardhura prej mbi 1.63 miliardë lekësh ose rreth 16 milionë euro vetëm për vitin 2025.  99 % e këtyre fitimeve vjen direkt nga Bashkia e Tiranës.

Shifrat financiare, sipas të dhënave të marra nga buxheti i bashkisë, rriten me 17% në vit. Qyteti, ndërkaq, mbetet i pistë.

Po ku shkojnë paratë e qytetarëve teksa qyteti jeton mes pirgjeve të mbeturinave? Kush përfiton?

Eco Tirana sh.a. u themelua më 22 qershor 2016, si partneritet publik-privat midis Bashkisë Tiranë që ka 51% të aksioneve dhe grupit italian AGSM AIM me 49%, me kapital fillestar prej 170 milionë lekësh.

AKSIONERËT DHE KAPITALI

AksioneriPërqindjaKapitali 2024 (lekë)Kapitali 2025 (lekë)
Bashkia Tiranë51%86,700,000216,240,000
AGSM AIM (Itali)49%83,300,000207,760,000
TOTALI100%170,000,000420,000,000

Kontrata konsesionare midis Bashkisë Tiranë dhe Eco Tirana ka afat 84 vjeçar, deri në vitin 2100, kontrata më e gjatë koncesionare në vend.

Pasqyrat financiare të Eco Tirana në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë një kompani me performancë financiare gjithnjë në rritje. Por cilësia e shërbimit nuk ka ndjekur të njëjtën trajektore.

Treguesit FinanciarëViti 2024 (lekë)Viti 2025 (lekë)Ndryshimi
Të ardhura nga shfrytëzimi1,390,739,0631,631,824,719+17.3%
Shitje tek Bashkia Tiranë1,366,580,4201,614,747,011+18.2%
Shitje tek klientë të tjerë10,000,28014,349,115+43.5%
Totali gjithëpërfshirës128,086,728166,578,743+30.1%
Kapitali total170,000,000420,000,000+147.1%

Në vitin 2025, 99.1% e të gjitha të ardhurave të Eco Tirana erdhën nga një klient i vetëm, Bashkia. Klientët e tjerë sjellin vetëm 14.3 milionë lekë nga totali i 1.63 miliardë lekëve.

Kjo nënkupton se Eco Tirana është praktikisht një kompani që mbizotëron nga kontratat e pastrimit të Tiranës, por ndërkohë qytetarët ankohen për koshat e mbeturinave që më shumë ua ndotin lagjet sesa ua pastrojnë.

VitiBuxheti (lekë)Ndryshimi nga viti paraardhës
20253,241,903,462—
20263,475,470,263+7%
2027 (plan)3,646,168,776+5%
2028 (plan)3,831,977,215+5%

Eco Tirana përfiton pagesa nga Bashkia e Tiranës edhe për shërbimin e diferencimit të mbeturinave. Mirëpo vëzhgimet në terren konfirmojnë se ky shërbim praktikisht nuk kryhet.

Mbeturinat hidhen gjithmonë nëpër kosha pa ndarje sipas kategorive. Por edhe nëse do të ndaheshin, ato merren të gjitha bashkë nga i njëjti kamion që i grumbullon sërish.

Duke dështuar në riciklimin e mbetjeve, jo vetëm që niveli i ndotjes nuk ulet, sic synon kontrata koncesionare, por Shqipëria dështon edhe në përmbushjen e Kapitullit të 27 -të të BE-së për negociatat.

Mes të këtij realiteti, Televizioni Klan i drejtoi zyrtarisht disa pyetje Bashkisë së Tiranës në lidhje me situatën menaxhimit të mbetjeve, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Por ndërsa në zyrat e Bashkisë së Tiranës drejtuesit e saj po shohin se ç’përgjigje t’u japin pyetjeve tona që kërkojnë të hedhin dritë mbi situatën e rënduar të menaxhimit të mbetjeve, në terren situata vijon të jetë e njëjtë, me rrugët e kryeqytetit tonë turistik që kundërmojnë nga plehrat.

/tvklan.al