Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i krahut të djathtë ekstrem, ka shkaktuar një valë reagimesh diplomatike. Kjo pasi publikoi pamje ku shihen forcat izraelite të sigurisë duke trajtuar në mënyrë të papërshtatshme aktivistë ndërkombëtarë të ndaluar gjatë një përpjekjeje për të lundruar drejt Gazës me ndihma humanitare.

Në video shfaqen dhjetëra aktivistë të gjunjëzuar me duart e lidhura, ndërsa Ben-Gvir shihet duke i tallur dhe duke valëvitur flamurin izraelit.

Më shumë se 400 aktivistë nga 40 vende, përfshirë edhe shqiptarin Baki Goxhaj, që udhëtonin me 50 anije drejt Gazës me ndihma, u ndaluan nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare dhe u dërguan në Izrael.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra. Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, një nga aleatët më të mëdhenj të Izraelit, e cilësoi sjelljen e Ben-Gvir si të neveritshme dhe tha se ai tradhtoi dinjitetin e kombit të tij.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti ngjarjen “të papranueshme”, ndërsa Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar e dënuan ashpër si trajtim çnjerëzor dhe të turpshëm.

Presioni ndërkombëtar detyroi kryeministrin Benjamin Netanyahu të kritikonte publikisht Ben-Gvir dhe të urdhëronte deportimin e aktivistëve.

Edhe ministri i jashtëm Gideon Saar e dënoi veprimin e tij, duke thënë se ai dëmtoi imazhin e Izraelit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmoi për Tv Klan se po ndjek me vëmendje dhe prioritet situatën lidhur me shtetasin shqiptar Baki Goxhaj. Sipas informacioneve zyrtare, ai është transferuar në Izrael dhe ambasada shqiptare në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet. Ministria thotë se së shpejti do të zhvillohet një takim me Goxhaj për t’i ofruar asistencën e nevojshme konsullore dhe, në këtë kuadër, për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të tij në atdhe.

Tv Klan

/tvklan.al