20 nëntor 2026 – Arsimi do të ketë një nga mbështetjet më të mëdha financiare në buxhetin e vitit 2027, me një fond prej 191 milionë eurosh për arsimin e lartë dhe 25 milionë euro për kërkimin shkencor. Në total, buxheti shënon një rritje prej 28.2% krahasuar me vitin 2026.

Në një intervistë për Klan News, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditura disa nga ndryshimet që parashikohen për vitin e ardhshëm, duke u ndalur te mbështetja financiare për studentët, nxënësit me aftësi ndryshe dhe mësuesit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rritjen e bursave për studentët me vështirësi ekonomike dhe sociale. Pagesa mujore nga 10 mijë lekë do të shkojë në 25 mijë lekë, ku përfshihet edhe një bonus për qiranë e banesës. Nga kjo skemë pritet të përfitojnë rreth 11 500 studentë në arsimin e lartë publik. Gjithashtu, mbështetja financiare që deri më tani jepej vetëm për ciklin e parë të studimeve do të shtrihet edhe për studentët që ndjekin masterin.

“Për studentët me vështirësi ekonomike dhe sociale, nëse deri dje merrnin 10 mijë lekë në muaj, me buxhetin e vitit 2027 kjo pagesë shkon në 25 mijë lekë në muaj. Brenda saj përfshihet edhe një bonus për qiranë e banesës. Me këtë mbështetje përfitojnë rreth 11 500 studentë në sistemin e arsimit të lartë publik. Me buxhetin e vitit 2027, jo vetëm që rrisim bursën, por nëse deri më sot bursa që merrnin ishte vetëm për ciklin e parë, tani do ta kenë këtë mbështetje edhe në master“, u shpreh Kumbaro.

Ministrja u ndal edhe te mbështetja për nxënësit me aftësi ndryshe. Sipas saj, për vitin shkollor 2026–2027 janë regjistruar 6039 nxënës me aftësi ndryshe, ndërsa që prej shtatorit të këtij viti ka nisur zbatimi i raportit një mësues ndihmës për çdo nxënës. Ky mekanizëm do të mbështetet edhe përmes buxhetit të vitit 2027.

“Për fëmijët me aftësi ndryshe kemi një rritje të numrit në vitin shkollor 2026–2027. Kemi të regjistruar për këtë vit 6039 nxënës me aftësi ndryshe. Raporti një mësues ndihmës për një nxënës me aftësi ndryshe ka filluar që në shtator 2026. Buxheti e mbështet këtë instrument social“, tha ministrja.

Një tjetër çështje e trajtuar në intervistë ishin kërkesat studentore nga protestat. Kumbaro tha se rritja e bursave synon t’i përgjigjet kostove të larta të jetesës, sidomos për ato studentë që ndodhen në Tiranë. Ajo përmendi gjithashtu ligjin e miratuar për strehimin, përmes të cilit parashikohen mundësi për studentët që kanë përfunduar masterin dhe për personat që duan të krijojnë familje, përmes kredive me interes 0 ose 1%, ku pjesën tjetër të interesit e mbulon shteti.

“Kemi qenë të vëmendshëm për të dëgjuar e kuptuar cilat janë nevojat e studentëve. Një ndër kërkesat e tyre ka të bëjë me studentët që janë në Tiranë për shkak të kostos së lartë të jetesës. I përgjigjemi kësaj kërkese me një rritje të buxhetit për bursat. Ne kaluam para dy ditësh një ligj për strehimin, ku kemi krijuar një mundësi për studentët që kanë përfunduar masterin dhe për të tjerë që duan të krijojnë familje. Kemi kredi me interes 0 ose 1% dhe shteti mbulon pjesën tjetër. Të gjitha këto forma janë në dispozicion të studentëve“, deklaroi Kumbaro.

Sa i përket mësuesve, ministrja kujtoi rritjen e pagave të realizuar në korrik të vitit 2024, duke theksuar se paga mesatare në sistemin parauniversitar aktualisht është rreth 950 euro. Për vitin 2027, sipas saj, parashikohet indeksimi i pagave për të gjithë mësuesit dhe personelin që punon në këtë sistem. Gjithashtu, mësuesit, veçanërisht ata të rinj që krijojnë familje, do të kenë mundësi të përfitojnë nga skema e kredive të lehtësuara me zero interes.

/tvklan.al