Ministria e Financave ka sqaruar se pagat e magjistratëve për muajin gusht nuk mund të ekzekutohen me formulën e re të kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët, pa u miratuar më parë ndryshimet ligjore nga Kuvendi. Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, ministri Petrit Malaj kërkon që listëpagesat e gushtit të paraqiten sipas metodologjisë së përdorur deri në korrik, pasi ndryshimet në pagat e magjistratëve në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë pasqyruar ende në ligj.

“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”.

Nuk mungoi reagimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili, përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Financave, teksa i kërkon që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thekson se vënia në diskutim ose pezullimi administrativ i efekteve të një vendimi të tillë cenon Kushtetutën.

KLGJ: “As Kuvendi, as Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave apo çdo organ tjetër shtetëror nuk mund të rihapë, rivlerësojë ose relativizojë atë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur përfundimisht. Për rrjedhojë, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në të drejtën e një organi të ekzekutivit për të pezulluar efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Një përfundim i kundërt do ta bënte fuqinë detyruese të vendimit kushtetues të varur nga vullneti i një organi që duhet ta zbatojë atë”.

Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë që nga 1 gushti pagat duhet të përllogariten mbi bazën e formulës së përcaktuar nga Kushtetuesja, ndërsa diferencat për periudhën prill 2023 deri në korrik 2026 duhet të kompensohen.

Në muajin shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe shfuqizoi dispozitat e një ligji të vitit 2023 që kishin ndryshuar formulën e përllogaritjes së pagave, duke lënë si pagë reference atë të drejtorit të Departamentit në Këshillin e Ministrave dhe jo pagën e Presidentit të Republikës.

Gjyqtarët pretenduan se formula e re kishte sjellë në praktikë një ulje të vlerës reale të pagës. Kushtetuesja e pranoi këtë argument dhe i la Kuvendit detyrimin për të bërë ndryshimet ligjore deri më 31 korrik 2026.

Në fund të gushtit, KLGJ miratoi vetë një pagë referuese bazë për magjistratët, duke iu referuar vendimit të Kushtetueses dhe i kërkoi Ministrisë së Financave të zhbllokojë fondin, por Financat thonë se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi.

Tv Klan

/tvklan.al