Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Jashtëm Igli Hasani se ka mashtruar misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve. Kryetari demokrat ka publikuar një letër që sipas tij i është dërguar ndërkombëtarëve nga ministri i jashtëm. Berisha theksoi se Hasani po kërcënon vëzhguesit e huaj që të ndryshojnë raportin për 11 majin.
“Ky në vend se t’i falenderojë, u thotë se kemi shqetësime dhe shpreh indirekt kërcënim, pa studiuar asnjë dokument, por vetëm vullnetin patologjik për të mbrojtur farsën që kanë organizuar. Toni, thotë ky ministër, që vetëm ministër nuk mund të quhet, dhe vendosja, pozicionimi, inkuadrimi i këtij seksioni të hapjes, pra i kësaj hapje të raportit, rrezikon të errësojë kontekstin e gjerë të përparimit, përfshi këtu përmirësimet e ndjeshme demokratike, siç është rritja e transparencës dhe avancimi me teknologjinë elektorale dhe konkretisht, dëgjojeni çfarë flet, futja me sukses e votimit jashtë vendit. Për më tepër, shkruan ministri i narkoshtetit, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve të administratës, i mungon substancimi kësaj, veçanërisht në deklaratën paraprake.”
Pas këtyre akuzave ka reaguar Ministria e Jashtme. Ky institucion sqaron se në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.
“Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova. Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të misionit vëzhgues.”
Minsitria e jashtme e mbyll reagimin duke deklaruar se ODHIR ka reaguar edhe më parë që nuk ka pasur presione të tilla.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 