Drafti i Kodit të ri Penal solli reagime të shumta kundër nga institucione dhe organizata të shoqërisë civile, por pranë Ministrisë së Drejtësië, mbi 1 muaj nga publikimi i tij janë dorëzuar vetëm katër materiale me komente dhe kontribute për ndryshime dhe qasje që Kodi i ri duhet të ketë mbi nene të caktuara.

Dy nga materialet janë dorëzuar nga profesionistë të lirë të cilët kanë paraqitur komente mbi nenin 537, “Tarifat e papërshtatshme të shërbimit” të draft kodit.

Dy të tjera janë nga organizata jofitimprurëse, nga të cilat njëra ka dërguar kontribut për veprat penale lidhur me përndjekjen dhe ngacmimin online, dhe tjera komente për çështje që prekin personat me aftësi të kufizuara.

Ministria e Drejtësisë i tha Tv Klan në një përgjigje zyrtare se interes nga ana tjetër ka pasur edhe nga tre subjekte që kanë kërkuar informacion për datat e konsultimit publik të draft kodit.

Konsultimet publike për draftin e Kodit të ri Penal do të nisin në 15 shtator në një tryezë me magjistratë të gjykatave dhe prokurorive me seli në Tiranë, si dhe avokatë, noterë e përmbarues gjyqësorë.

Ato do të përmbyllen në 15 dhjetor me një tryezë me organizatat ndërkombëtare jofitimprurëse dhe përfaqësues të shoqërisë civile që ushtrojnë veprimtari të lidhura me këtë fushë.

Tv Klan

/tvklan.al