Kombëtarja U-21 ka barazuar 0-0 ndaj Spanjës U-21, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, duke menaxhuar me kujdes lojën dhe duke i bërë ballë një kundërshtari me cilësi të larta.

Shqipëria e nisi mirë takimin, me organizim dhe vendosmëri në fushë, duke kërkuar edhe hapësirat për të rrezikuar portën kundërshtare. Kevin Dodaj dhe Ermir Rashica patën mundësi të mira për të shënuar, por kuqezinjtë nuk arritën t’i konkretizonin rastet e krijuara.

Një performancë shumë të mirë zhvilluan edhe portierët Simon Simoni dhe Alain Taho, të cilët mbajtën portën të paprekur.

Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore e Kombëtares U-21 në këtë periudhë, pas fitores 3-1 ndaj Luksemburgut. Barazimi pa gola ndaj Spanjës përbën një tjetër test të vlefshëm për skuadrën e Alban Bushit në vijim të punës dhe përgatitjeve për sfidat e ardhshme dhe Kampionatin Europian U-21 2027.

/tvklan.al