Socialistët dhe demokratët bashkuan votat për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, me përbërjen dhe objektin e punës së dakordësuar më parë.
Votat kundër ishin të përfaqësuesve të partive të vogla parlamentare, pasi pretendojnë se mendimi i tyre për këto reforma nuk vlen sipas dy forcave të mëdha, që i kanë dhënë mundësi dy bashkëkryetarëve të tyre të kenë të drejtë vetoje.
Por bashkëkryetari socialist Gjiknuri i kundërshton me argumentin se për herë të parë çdo parti parlamentare ka të drejtën të përfaqësohet në komisionet e posaçme, edhe pse jo të gjitha kanë të drejtë vote.
“Çdo anëtar i çdo partie ka të njëjta të drejta. Vendimet, merren me veton e bashkëkryetarëve. Kjo është tradita”, tha Gjiknuri.
Sali Berisha shpjegoi qëndrimin e partisë së tij, që pavarësisht mosbesimit tek kundërshtarët socialistë, është domosdoshmëri të kryhen këto dy reforma.
“Së pari, rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute, me Edi Ramën shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Reforma Territoriale ishte një anti-reformë. Ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të anulohen”, tha Berisha.
Socialistët janë shprehur të hapur të diskutojnë çdo propozim për të dy reformat, pa përjashtuar edhe diskutimet për ndryshim të sistemit zgjedhor dhe hartës territoriale, siç kërkojnë demokratët.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 