Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit disa akte, pjesë e reformës ligjore apo njohur ndryshe si ‘paketa antimafia’. Pas një pune disamujore të një grupi ekspertësh të Ministrisë së Drejtësisë të konsultuar me jurisë dhe struktura të huaja të hetimit e kryesisht duke u mbështetur te ligji italian, ka kaluar në Këshillin e Ministrave projektligji për paradalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Në projektligj parashikohet goditja e grupeve kriminale dhe sekuestrimi i pasurive që burojnë nga veprimtari të tilla, parashikohet gjithashtu që zotërues të pasurive të dyshuara si kriminale të vërtetojnë prejardhjen e pasurisë së tyre dhe që nuk kanë lidhje me persona të dyshuar si pjesëtarë të krimit të organizuar.

“ Një çështje tjetër është përdorimi i fondeve dhe i pasurive të konfiskuara të cilat do të shkojnë për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar apo do t’u jepen në administrim oragneve të drejtësisë, rendit publik, mbrojtjes civile, njësive vendore për përmbushjen e funksioneve të tyre për qëllime sociale.”

Sanksoneve të këtij akti ligjor u nënshtrohen dhe personat e lidhur me të dënuarit për krim të organizuar, familjarë, të afërm apo shtetas që kanë bashkëjetuar me ta gjatë 5 viteve të fundit. Gjithashtu paketa ligjore e miratuar në Këshillin e Ministrave përmban dhe disa shtesa dhe ndryshime në kodin penal që kanë të bëjnë me përkufizime të sakta të llojeve të krimit të organizuar dhe formave të bashkëpunimit. /tvklan.al