Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor dhe administrativ për mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e pasurisë së çmuar arkeologjike që fshihet në thellësitë e ujërave tona.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar miratimin e vendimit të ri që unifikon procedurat për shpalljen publike të pasurive kulturore nënujore. Ky vendim synon të koordinojë më mirë institucionet dhe të garantojë që këto dëshmi historike të njihen e të mbrohen siç duhet.

“Në mbledhjen e qeverisë, u miratua sot vendimi “Për procedurën e shpalljes publike të pasurive kulturore që zbulohen në det”, një hap i rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.

Pozicioni i Shqipërisë përgjatë Adriatikut dhe Jonit dhe historia e saj e gjatë e veprimtarive detare e tregtare kanë lënë në hapësirën tonë detare dëshmi me vlera të veçanta historike, arkeologjike, kulturore dhe shkencore. Anije të mbytura dhe strukturat e tyre, gjurmë të strukturave portuale antike apo objekte arkeologjike të lidhura me rrjetet e dikurshme tregtare janë pjesë e një trashëgimie që dëshmon lidhjet e Shqipërisë me qytetërimet dhe rajonet e Mesdheut.

Me vendimin e miratuar sot, përcaktohet një procedurë e unifikuar për shpalljen publike të pasurive kulturore që zbulohen në det e liqene, pas përfundimit të proceseve të dokumentimit, verifikimit, vlerësimit, deklarimit dhe regjistrimit të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.

Procedura forcon koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe garanton që publiku të informohet mbi ekzistencën, rëndësinë historike, kulturore, arkeologjike apo shkencore të pasurive të zbuluara, duke respektuar në çdo rast parimin e mosrrezikimit të tyre”, tha ministri Gonxhja.

Vendimi parashikon gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional dhe, në rastet e pasurive me karakter ndërkufitar apo rëndësi ndërkombëtare, koordinimin me shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.

/tvklan.al