E përditshmja britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë turistike, duke e cilësuar si perlën europiane, e cila ofron plazhe mahnitëse, male, por edhe qytete plot kulturë dhe histori.

Përshkrimin e Shqipërisë, artikulli i “Mirror” e bën duke u mbështetur në përvojën e vizitës së një eksperteje udhëtimesh, Jordynn, e cila ka vizituar vendin tonë dhe aventurat i ka ndarë në rrjetin e saj “TikTok”.

Ekspertja e udhëtimeve e rekomandon Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.

Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim. Ajo e krahason Shqipërinë me vende të njohura të botës që e kanë turizmin më të zhvilluar.

“Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, thotë ajo në një postim në TikTok.

Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, në artikull rekomandohen qytetet bregdetare të Vlorës dhe Sarandës.

Po ashtu edhe Gjirokastra dhe Berati, si qytete magjepsëse të listuara si Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që nuk lihet pa u përmendur as veriu i vendit, me Shkodrën dhe sidomos me Thethin dhe Valbonën.

Një vend të veçantë i kanë kushtuar kulinarisë dhe sidomos guzhinës tradicionale vendëse. Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, nuk duhet ta humbisni.

Klan News

/tvklan.al