Mbrëmja e së shtunës në Parkun Olimpik të Tiranës u shndërrua në një skenë magjie, elegance dhe emocionesh, ku u kurorëzuan fitueset e spektaklit “Miss Universe Albania dhe Kosova 2026”.
Në drita spektakolare, mes koreografive dinamike dhe sfilatave që sollën në skenë bukurinë dhe personalitetin e vajzave konkurrente, publiku ndoqi nga afër një prej eventeve më të rëndësishme të bukurisë shqiptare.
Në vlerësimin e finalisteve mori pjesë një juri e përbërë nga emra të njohur të modës, artit, televizionit dhe biznesit, mes tyre modelja austriake e Victoria’s Secret, Nadine Mirada, ish-Miss Albania Sidorela Kola, stilisti Joni Peçi, si dhe personalitete nga bota e biznesit, artit dhe modës.
Përveç kurorës kryesore, u ndanë edhe çmime të veçanta. Alesia Arafi u shpall “Modelja më e Bukur 2026”, Aurora Loki fitoi çmimin “Miss Fotogjenia”, ndërsa Flavia Arifi u vlerësua me çmimin “Miss Produksioni”. Një moment emocionues ishte rikthimi në skenë i ikonave të bukurisë shqiptare, Sidorela Kola dhe Elida Gjeçi, të cilat u nderuan me titullin simbolik “Missi i Misseve”.
Në fund të mbrëmjes, kurorat më të rëndësishme gjetën fitueset e tyre. Jorgesa Beqiri u shpall “Miss Universe Albania 2026”, ndërsa Evisa Pacolli fitoi titullin “Miss Universe Kosova 2026”. Për herë të parë u dha edhe titulli “Miss Universe Montenegro”, i fituar nga Maria Aleksandra Ivezaj.
Tashmë fitueset do të përfaqësojnë bukurinë shqiptare në arenën ndërkombëtare, në spektaklin e madh të Miss Universe që do të zhvillohet në Porto Riko në muajin nëntor, duke çuar më tej emrin e Shqipërisë dhe Kosovës në skenën botërore të bukurisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 