Ekspertë të mjekësisë ligjore kanë bërë betimin para Gjykatës së Krimeve të Rënda se brenda një jave do të sjellin konkluzionet nëse i pandehuri, Budjon Meçe, do të jetë pjesë e procesit të hapur ndaj tij.

Edhe për një javë ky proces nuk do të zhvillohet, pasi ekspertët do të kryejnë verifikimin e gjendjes shëndetësore të të pandehurit, Meçe, është ose jo i vetëdijshëm ky shtetas për t’u njohur më parë me akuzat.

Në sallë avokati i tij ligjor ka deklaruar se ky i pandehur nuk është në gjendje koshiente ndaj procesi ndaj tij nuk duhet zhvilluar deri në përmirësimin e gjendjes dhe daljes nga koma.

Kjo situatë ka mbajtur peng zhvillimin normal të seancave gjyqësore për çështjen e bujshme të zhdukjes së shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha, vite më parë.

Nën këtë akuzë Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi riarrestimin e katër ish-punonjësve të SHIK-ut, mes tyre dhe një prej zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore, Arben Sefgjini.

Më të interesuarit për të asistuar në këtë proces janë familjarët e Remzi Hoxhës, të cilët çdo të premte udhëtojnë nga Maqedonia drejt Tiranës në pritje për të mësuar të vërtetën mbi vdekjen e familjarit të tyre./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani