Qeveria prezantoi këtë të martë, 17 nëntor, modelin e ri të prokurimit publik përmes operatorit të blerjeve të përqëndruara si dhe integrimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut apo hartimin e dokumentacionit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ky sistem i ri, i cili do të mbikqyret nga “Diella”, synon të shmangë burokracitë dhe të ofrojë transparencë.
“Asnjë biznes nuk do detyrohet më të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin mbi një biznes apo një tjetër, do të kalojë nga Diella, nga një dosje virtuale e çdo biznesi, ku mbi 40 regjistra publikë do të jenë aty për t’u hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë të gjithë punën që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz dhe duke konsumuar kohë, duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, tha Rama.
Edhe procedurat për fituesit e tenderave do të ndiqet nga “Diella” nga përcaktimi i fondit limit tek vlerësimi i ofertave.
“Ky do të jetë një revolucion i mirëfilltë edhe në aspektin e problematikave për hartimin e specifikimeve teknike, për përllogaritjen e fondeve limite, për teknikën e shqyrtimit të ofertave dhe të vlerësimit të tyre, pasi të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës dhe Diella po përgatitet që të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi”, shtoi shefi i qeverisë.
Së shpejti “Diellës”, do t’i bashkohet edhe një tjetër asistent virtual, i pagëzuar me emrin “Gjon”.
“Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj, dua të shpresoj që do të fillojë të krijohet dhe bindja që po, ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë pasi të kalojë dhe një fazë kur humbësit të duan t’i shikojnë me sytë e vetë dhe t’i kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse procesi gjithsesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht”, deklaroi Rama.
Duke sjellë në vëmendje raportet ndërkombëtare, kryeministri foli për shifra për atë së çfarë është bërë në fushën e prokurimeve publike ndërsa një koment e kishte edhe për atë që cilëson perceptimi shqiptar për korrupsionin.
“FlashEurobarometri i 2025-ës thotë se 63% e të anketuarve në Shqipëri mendojnë se specifikimet e procedurave hartohen në favor të kompanive të caktuara, kundrejt 58%, pra vetëm 5 pikë përqindje më poshtë është mesatarja e Bashkimit Europian. Pra 58% në nivel të Bashkimit Europian mendojnë, kompani, që ka hile. Ndërsa në disa vende europiane, unë nuk dua t’i përmend, kjo shifër është lartësisht katastrofike. Për shembull në një vend të Bashkimit Europian, perceptimi është i 92% i të anketuarve, mendojnë që prokurimet janë me hile”, tha Rama.
Përtej përdorimit të inteligjencës artificialë, Rama nënvizoi se mbikqyrja manuale nuk do të shmanget.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 