Nisi paqësisht dhe përshkallëzoi në përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë protesta e 7 kombëtare e thirrur nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tensionet e para u shënuan menjëherë pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, ku pas hedhjes së fishekzjarrëve dhe molotovëve nga ana e protestuesve, policia kundërveproi me ujë, gaz e spraj për të shpërndarë turmën.

Situata u tensionua edhe më tej kur efektivët e policisë nuk kursyen jo vetëm qytetarët, por edhe deputetët e opozitës, ku si pasojë e hedhjes së sprajit pa ndjenja mbeti edhe ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja.

Tensionet para Kryeministrisë u zhvendosën në hyrje të rrugës së Elbasanit, ku policia nuk lejoi protestuesit ta zhvendosnin tubimin përpara Parlamentit.

Edhe këtu nuk munguan përplasjet, ku krahas qytetarëve në shënjestër u vunë sërish deputetë të opozitës.

“Me urdhër të Edi Ramës, Skënder Ballukut, Sokol tradhtarit, besëprerit Bizhga, dhe Enton Allushit, shefi i policisë operative i njësisë operative, kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë. Deputetët janë në spital…”, tha kreu i PD-së Sali Berisha.

Edi Ramën, ashtu si përpara Kryeministrisë, e paralajmëroi për fundin që tha se e pret lidhur me dosjen “Balluku”.

Akuzat ndaj policisë Berisha i vijoi edhe nga QSUT-ja dhe Spitali i Traumës, ku pa nga afër protestuesit dhe deputetët e lënduar.

“Janë përdorur helme dhe substanca që përbëjnë krime në konventa. Për verbimin e protestuesve janë përdorur helmet që përdoren kundër arinjve.”, tha ai.

Më herët nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kundërshtarin e tij politik e sfidoi që nëse nuk vjen si dëshmitar në GJKKO për çështjen “Partizani”, të ballafaqohet në debat publik.

“Së fundi ai u thirr në gjykatë për firmat e tij, nga kjo tribunë u them shqiptarëve se do keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit dhe i them Ramës nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe bën manovra siç bëre me Lubinë, se frikacak je, zgjidh studion televizive dhe puthadorët e tij, hajde t’u tregojmë shqip se çfarë hajduti i pangopur je dhe jo vetëm kaq, por se çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qenien tënde, Edi Rama koha jote e zezë për Shqipëri ka marrë fund, jep dorëheqjen.”, u shpreh Berisha.

Ndërsa shqiptarët i ftoi që zgjedhjet në Hungari të shërbejnë si një leksion edhe për ta, duke vrarë frikën ndaj atij që e cilësoi narkoregjim i Edi Ramës.

“Një mësim të nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari, të marrim masivisht në votime, ndaj kam kërkuar të bëhet me ligj votimi me detyrim.”, shtoi ai.

Ndonëse nuk caktoi një datë për protestën e radhës, kryedemokrati paralajmëroi se opozita nuk do të ndalet nga misioni i saj deri në largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

/tvklan.al