Klan News ka siguruar videon pak momente para se Egli Proga të dhunohej nga Denis Meçe, krim i ndodhur në Pogradec.

Në pamje shihet se ai futet në lokal dhe del pas 20 sekondash. Pasi mbyll derën, largohet duke bërë lëvizje të pakontrolluara.

Ngjarja ndodhi të shtunën në qendër të qytetit të Pogradecit, ndërsa të dielën 42-vjeçari humbi jetën në spital për shkak të traumave që pësoi në kokë.

Sherri ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit që administrohej nga Proga.

Fillimisht u dyshua si vdekje aksidentale, por më pas u zbulua nga pamjet e kamerave të sigurisë se, Egli Proga ishte dhunuar.

Motra e viktimës, Jonida Proga akuzon forcat e policisë që kanë reaguar me vonesë ndërsa thotë se vëllai nuk ka qenë në gjendje të dehur.

Jonida Proga, motra e viktimës: Pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë është rrëzuar. Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për tu sjellë kështu. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysëm ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.

Policia arrestoi autorin, Denis Meçe 29 vjeç dhe tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

Kjo ngjarje ka detyruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, të urdhërojë inspektim në drejtorinë vendore të policisë së Korçës nëse janë zbatuar detyrat e strukturave të rendit lidhur me këtë krim.

Klan News