Anila, ajo grua luftarake, nënë e tre fëmijëve e cila punonte me mish e me shpirt për të mbajtur familjen e saj nuk do e kishte menduar kurrë se kësaj here do të dergjej në shtatin e spitalit duke luftuar për jetën. Ajo ka punuar si psikologe në Shkodër për rastet e dhunës në familje. Sa e sa gra kanë marrë këshilla e ndihmë prej saj për t’i bërë ballë dhunës.

Por, jeta qenka vërtetë një paradoks. Pasi Anila, ajo grua luftarake, e hekurt, tashmë është viktimë e një krimi në familje. Në studion e “Rudina” në Tv Klan gazetarja Emi Kalaja raportoi më shumë detaje në lidhje me ngjarjen që ndodhi të martën në Shkodër (Lexo më shumë).

Sipas saj Kolë Manaj dhe Anila Ndoka dukeshin në sytë e njerëzve si një çift pa probleme. Për të gjithë ata që njohin Anilën, familjarët apo dhe kolegët e punës, ky krim ishte thjesht i paimagjinueshëm.

“Ngjarja është tragjike dhe ka shokuar mbarë opinion publik, veçanërisht qytetin e Shkodrës dhe ata me të cilët Anila punonte prej vitesh. Ajo është një punonjëse dhe psikologe e njohur në Shkodër, absurdi dhe paradoksi qëndronte në faktin që Anila trajtonte raste e dhunës në familje. Ajo punonte në një strehë emergjente për rastet e grave të dhunuara dhe fëmijëve të mitur. Dhe të jetë Anila e dëmtuar sot në një gjendje kritike për jetën për shkak të një krimi pasioni, duket e paimagjinueshme, edhe për ata të cilët ne i kemi kontaktuar. Pra të afërm, familjarë e kolegë të Anilës, të cilët e njohin për një grua tejet luftarake dhe në fakt pavarësisht se ajo ka një plumb në kokë, nga në distancë e afërt nga vetë bashkëjetuesi i saj, vazhdon të mbetet shumë luftarake. Vazhdon të jetë e gjallë me parametra jetësorë, pavarësisht se mjekët duhet thënë që në minutat e para në Shkodër theksojnë se duhet të kalojnë të paktën 72 orë, pra 3 ditë në mënyrë që ajo të kalojë gjendjen e rrezikut. Dy herë është tentuar për ta transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, por ka qenë i pamundur transportimi pasi nuk jepej se mund t’i mbijetonte këtij transporti”, tha gazetarja.

Anila Ndoka, 44 vjeçe është nënë e 3 fëmijëve, nga martesa e saj e mëparshme. Ndërkohë prej 5 vitesh ajo bashkëjetonte me 34-vjeçarin Kolë Manaj. Anila bënte një sërë punësh dhe kishte një gjendje ekonomike të stabilizuar, ndërkohë që bashkëjetuesi i saj ishte e kundërta. Ai nuk kishte një punë dhe një ekonomi stabël.

Kjo ishte dhe arsyeja që Anila donte t’i jepte fund bashkëjetesës, por kjo nuk pranohej nga 34-vjeçari. Një ditë para ngjarjes tronditëse, ai i dërgoi një video Anilës ku kishte inskenuar vetëvrasjen.

Pas kësaj çifti u takua për të biseduar, por qetësia e Anilës mesa duket nuk bëri efekt para Kolë Manajt. Ai qëlloi me armë Anilën në kokë dhe më pas vrau veten. Megjithëse në fillim u mendua se dhe Anila kishte ndërruar jetë, ajo nuk u dorëzua, ndërkohë që tani ndodhet në spital në një gjendje të rënduar./tvklan.al