Shumë persona mendojnë se pajisjet elektrike nuk konsumojnë energji në momentin që i fikin me telekomandë ose i lënë në gjendje pritjeje. Por në të vërtetë, ato mund të vazhdojnë të tërheqin energji elektrike edhe kur nuk janë në përdorim.
Ekspertja Natalia Lachim, në një prononcim për gazetën britanike Metro, shpjegon se kjo praktikë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e faturave të energjisë elektrike.
Në shumë shtëpi është e zakonshme që karikuesit e telefonave dhe laptopëve të qëndrojnë vazhdimisht në prizë, televizorët të lihen në modalitetin e pritjes, ndërsa pajisje të tjera të mbeten të lidhura edhe pasi përdorimi i tyre ka përfunduar.
Sipas ekspertes, ky është një konsum i panevojshëm që mund të shmanget me një veprim fare të thjeshtë.
“Sa herë që një pajisje qëndron e lidhur në prizë, ajo mund të konsumojë energji elektrike edhe kur është e fikur dhe nuk po kryen asnjë funksion. Kjo rrit konsumin dhe, për rrjedhojë, edhe faturën tuaj. Për të kursyer, mjafton ta shkëputni nga priza dhe të ndërprisni furnizimin me energji”, shpjegon Lachim.
Televizori
Televizori është një nga pajisjet që shpesh mbetet i lidhur me energjinë gjatë gjithë ditës. Një studim i vitit 2021 tregoi se 98% e familjeve në Mbretërinë e Bashkuar e mbajnë televizorin të lidhur në prizë në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe pse shumë përdorues besojnë se shtypja e butonit në telekomandë e fik plotësisht pajisjen, në të vërtetë ajo shpesh kalon vetëm në modalitetin e pritjes. Në këtë gjendje, televizori vazhdon të konsumojë energji elektrike.
Çajniku elektrik
Edhe pse nuk renditet ndër pajisjet me konsumin më të lartë të energjisë, çajniku elektrik mund të kontribuojë në rritjen e faturës nëse lihet vazhdimisht i lidhur në prizë. Për këtë arsye, ekspertja këshillon që ai të shkëputet nga energjia pas çdo përdorimi.

Karikuesit e telefonave dhe pajisjeve të tjera
Karikuesit janë një tjetër burim i konsumit të panevojshëm. Shumë njerëz i lënë të lidhur në prizë gjatë gjithë kohës, në mënyrë që t’i kenë gati sa herë u nevojitet të karikojnë telefonin apo pajisje të tjera elektronike.

Megjithatë, sipas Lachim, edhe një karikues që nuk është duke karikuar asnjë pajisje mund të konsumojë energji kur qëndron në prizë. Edhe pse sasia mund të jetë e vogël, ky konsum i vazhdueshëm mund të shtojë shpenzimet vjetore të energjisë elektrike.












Botërori 2026 
