Rusia ka deklaruar se është në dijeni të pranisë së trupave franceze në Ukrainë, duke e cilësuar këtë si “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” në luftë. Moska bëri të ditur se i ka përcjellë shqetësimet e saj Parisit, ndërsa Franca i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si absurde.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, mohoi që vendi i tij të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në luftimet në Ukrainë. Në një intervistë për emisionin francez “C à Vous”, ai sqaroi se prania e ushtarëve francezë lidhet vetëm me trajnimin e forcave ukrainase dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake, larg vijës së frontit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një angazhim shumë të kufizuar, pa asnjë përfshirje në operacione luftarake. Barrot shtoi se pjesa më e madhe e trajnimeve është zhvilluar në Poloni.
“Ne mbështesim ushtrinë ukrainase dhe rezistencën e Ukrainës. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për një popull që po lufton për pavarësinë dhe demokracinë e tij, në prag të Evropës”, deklaroi ministri.
Barrot akuzoi gjithashtu kreun e partisë së majtë “Francë e Papërkulur”, Jean-Luc Mélenchon, se po përcjell propagandën ruse. Reagimi erdhi pasi ky i fundit publikoi një mesazh në platformën X, ku paralajmëronte se Franca nuk duhet të bëhet në asnjë rrethanë palë ndërluftuese në Ukrainë.
Deklaratat e ministrit francez erdhën pas pretendimeve të homologut të tij rus, Sergei Lavrov, i cili tha se në Ukrainë ndodhen prej më shumë se gjashtë muajsh personel ushtarak i huaj, jo vetëm francez.
Lavrov pretendoi se Moska ka kontaktuar përmes kanaleve zyrtare me vendet përkatëse, duke i paralajmëruar se mbështetja e tyre për Kievin përbën pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë. Ai përmendi ndër të tjera ndihmën në përcaktimin e objektivave ushtarake, sigurimin e të dhënave satelitore dhe forma të tjera mbështetjeje.
Çështja u bë publike pas raportimeve të mediave franceze, të cilat, duke iu referuar një burimi, zbuluan se një grup i vogël ushtarësh francezë ishte dërguar në mënyrë diskrete në Ukrainë prej disa muajsh. Misioni i tyre ishte trajnimi i personelit ukrainas dhe mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake.
Burimi, i cili foli për agjencinë AFP në kushte anonimiteti, sqaroi se ushtarët francezë angazhohen në trajnimin e forcave ukrainase në Francë, Poloni dhe, në raste të caktuara, edhe në Ukrainë. Megjithatë, ai theksoi se misioni nuk përfshin luftime apo operacione ushtarake.
Edhe zëvendësministrja franceze e Mbrojtjes, Alice Rufo, konfirmoi në parlament se në Ukrainë ka një prani shumë të kufizuar të ushtarëve francezë, të angazhuar vetëm në trajnimin e personelit dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Ajo mohoi çdo synim për t’u përfshirë në luftime, duke i cilësuar pretendimet e Lavrovit si absurde.
Ndërkohë, në muajin nëntor, Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të zgjasë me dy vite të tjera mandatin e Misionit të Ndihmës Ushtarake të BE-së për Ukrainën. Për këtë periudhë është parashikuar një buxhet prej afro 300 milionë eurosh.
/tvklan.al












Botërori 2026 
